Vdes profesori i historisë Adem Murati

Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, profesori i historisë, Adem Murati, një intelektual dhe studiues i dalluar, autor i disa veprave, personalitet i shquar i botës akademike.

Murati do të mbahet mend për kontributin e pashoq në edukimin e shumë gjeneratave të reja në Viti e Gjilan, por edhe në ngritjen e cilësisë në arsim si dhe mbajtjen gjallë të sistemit arsimor në periudha të rënda, nëpër të cilat kaloi Kosova.

Përveç kësaj, profesor Murati me studimet dhe shkrimet e tij ka ndriçuar historinë, duke ua transmetuar brezave të rinj të kaluarën e të parëve tanë.

Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, ka ngushëlluar familjen Murati, të afërmit e saj, banorët e fshatit Tërpezë, ku ishte i lindur profesori, si dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij. /Mediafokus.info