Veç edhe një ditë keni afat për pagesën e tatimit në pronë dhe të shpëtoni nga gjoba dhe interesi

Vetëm edhe një ditē ka mbetur afati për pagësën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023. Ata që s’e paguajnë do të përballen me masa ndëshkimore  një interes prej 0.65% për secilin muaj vonoesë, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

Nesër përfundon afati ligjor për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë. Për këstin e dytë, ka kohë deri në fund të shtatorit.

Qyetetarët tashmë janë paralajmëruar që të kryejnë pagesat, që të mos përballen me masa ndëshkimore.

Këtë vit, faturat e tatimit në pronë do të jenë më të shtrenjta, meqë është bërë rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave.

E ata që që paguajnë do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, që parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Ky projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.

Ndryshe, nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.

Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.