Vëllai rrëfen për bisedën e parë me Naim Murselin pas vrasjes së Liridona Ademajt

Naim Murseli i tha Leonard Ademajt, vëllait të Liridona Ademajt, se bashkëshorten e tij e vranë disa grabitës të armatosur derisa ai po ikte bashkë me fëmijët në rrugë.

Këtë, Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, ia tha vëllait të saj në bisedën e parë mes tyre natës e 29 nëntorit, jashtë stacionit policor.

Leonard Ademaj dëshmoi sot në gjykatë për këtë bisedë.

Dëshmia e plotë:

“Në natën kritike unë isha duke punuar në lokal në fshatin tim. Diku rreth orës 10:00 të mesnatës më ka telefonuar bashkëshortja dhe më ka thënë: ‘A dëgjove që e kanë vrarë Liridonën?’ Pasi në lokal kishte shumë njerëz, nuk e kuptova mirë.

Nuk ka vonuar thirrja e dytë dhe ka thënë: ‘Eja, se e kanë vrarë Liridonën, motrën tënde.’ Kur kam shkuar në shtëpi, gjendja e prindërve ishte tejet e rëndë. Nuk dija se çka të bëja. E kam marrë veturën, i kam marrë edhe prindërit dhe jam nisur për spitalin “Isak Grezda” në Gjakovë. Gjatë rrugës lexoja në gazeta që Liridona është vrarë. Kur kam shkuar në spital, u kam thënë mjekëve: ‘A mund t’u jepni ndonjë qetësues a diçka prindërve, se motra ka vdekur?’ Pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, kemi vazhduar për në Prishtinë, më saktësisht në QKUK. Kur kemi shkuar në spital, kishte policë të shumtë, të cilëve iu drejtova me pyetjen: ‘A mund të di diçka në lidhje me rastin e Liridona Ademajt?’ Ata më thanë që duhet të shkoj në stacionin policor në Dragodan. Kur kam shkuar në polici, aty kishte zyrtarë policorë dhe njëri nga policët që ishte aty ua kumtoi lajmin për vdekjen e Liridonës prindërve.

Gjendja ishte tepër e rëndë. Pas pak minutash aty erdhi edhe ambulanca. Unë kam thënë: ‘Ku janë fëmijët dhe Naimi?’ Më kanë thënë që është brenda. Së bashku me bashkëshorten kemi shkuar te fëmijët; takimi me ta ishte shumë prekës, ata ishin të frikësuar, të mërzitur për atë që kishin parë e dëgjuar. Kur kam pyetur se ku është Naimi, më kanë thënë që është duke dhënë deklaratë. Pas diku një ore e gjysmë, Naimi ka dalë nga policia; ne fëmijët i kishim marrë me veturë. Kur ka dalë Naimi nga policia, aty ishte prezent edhe Kushtrim Kokalla.

E kemi pyetur Naimin: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai na tha që na ka dalë një hajn, me armë, dhe na ka kërkuar të holla. ‘Unë,’ tha, ‘i kam nxjerrë të hollat dhe i kam thënë edhe Liridonës: jepi krejt çka ke. Liridona, duke shikuar në çantë, unë i kam hapur dyert dhe u kam thënë fëmijëve: ikni! – në gjuhën suedeze. Pasi kemi shkuar 4-5 metra, tha, e kam dëgjuar një krismë, por unë kam vazhduar të ik me fëmijët. Ka ardhur një veturë në drejtim tonin dhe ka dashur të na shkelë mua dhe fëmijët.

Kam kërkuar ndihmë në disa shtëpi, por nuk na kanë dhënë ndihmë. Kam shkuar në market, aty i kam thënë pronarit: a mund ta shikosh fëmijët, se po dua me shku me kqyrë se ma kanë vra gruan. Por pronari nuk më ka lejuar, më ka thënë: jo, se është rrezik, rri këtu, prit policinë. Pasi që ishte natë, së bashku me familjen i kemi marrë fëmijët, ndërsa Naimi ka qëndruar së bashku me Kushtrimin. Për ne ajo natë nuk ishte e lehtë, sepse i kishim edhe fëmijët,’ tha Leonard Ademaj.”