Vendimi i fundit: Deri në këtë datë nuk do të fillojë mësimi në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot ka mbajtur një takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës ku janë diskutuar dhe propozuar edhe masa të tjera shtesë për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë.

Ndër këto masa, dhe më të diskutuarat ditët e fundit është edhe çështja e fillimit të vitit të ri shkollor.

Pavarësisht propozimit dhe deklarimit të Ministrisë së Arsimit ditë më parë se mësimi do të fillojë në shkolla më 1 shtator, sot është propozuar që deri më 13 shtator mësimi të mos fillojë atëherë kur edhe do të rivlerësohet situata.

“Mësimi nuk fillon deri më 13 shtator dhe atëherë të rivlerësohet situata.”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim virtual me Ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitia për të diskutuar lidhur me situatën e pandemisë Covid–19 pas rritjes së rasteve të reja të infektimeve dhe vlerësimin e masave me qëllim të uljes së rasteve të vdekjeve dhe infektimeve të reja dhe kundër shpërndarjes së këtij virusi.

Ministri i Shëndetësisë z.Vitia në fjalën hyrëse informoi Kryetarët e Komunave lidhur me situatën e tashme pas rritjes së rasteve të infektimeve. Ndër të tjera ai theksoi se versioni Delta i Covid-19 është duke u përhapur 4 deri 6 herë më shpejt dhe më shumë. Në këtë segment mosha e të të infektuarëve mes 10—20 vjeç është duke u rritur. Institucionet tona kanë marrë masa edhe për shtimin e numrit të shtretërve në spitalet tona. Po ashtu, Ministri i Shëndetësisë informoi Kryetarët e Komunave edhe për disa vendime dhe masa shtesë.

– Mësimi nuk fillon deri më 13 shtator dhe atëherë të rivlerësohet situata.
– Gastronomia do të punoj vetëm deri në ora 21:30 dhe vetëm në ambiente të jashtme.– Do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 22:00 deri ora 5:00.
– Do të rekrutohen 1.116 personel shëndetësor dhe inepsketues për të fuqizuar betejën e kundër kësaj pandemie.
– Komunat në shkallë 92% sipas kërkesave të tyre janë furnizuar me barna esenciale.
– Në fillim të shtatorit do të mbërrijnë edhe 470 mijë vaksina përmes Covax.
– Deri me 13 shtator do të punohet vetëm me staf esencial nëpër institucione.

Në anën tjetër Kryetarët e Komunave shprehën gatishmërinë edhe për angazhime shtesë në betejën kundër pandemisë Covid-19 duke theksuar se jeta e qytetarëve tanë është prioritet për institucionet tona dhe gjitha masat dhe angazhimet shtetërore duhet të shkojnë në këtë drejtim.

Mirëpo në këtë drejtim, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të shtohet numri i qendrave të vaksinimit, të shtohet numri i inspektorëve komunalë për respektim e masave anti-covid-19 si dhe rekrutimi i stafit shëndetësorë të decentralizohet tek komunat.

Ministri i Shëndetësisë, Vitia lidhur me kërkesën për shtimin e Qendrave të Vaksinimit tha se numri i të vaksinuarëve bëhet në proporocion me numrin e vaksinave që shteti ynë ka në dispozicion.