Vendlindja e nderon me mirënjohje gjeneralin Reshat Maliqi
Me rastin e 23-vjetorit të lirimit nga burgu famkeq i Serbisë, Këshilli lokal në Malishevë të Gjilanit e ka nderuar me mirënjohje Gjeneralin Reshat Maliqi, për kontributin e dhënë në fshat dhe në çështjen kombëtare.
‘Ne si këshill jemi të përkushtuar të nderojmë çdo figurë emblematike të fshatit sepse këta janë promtorë të të gjitha arritjeve në fshatin tonë’ ka thënë Latif Maliqi, kryetar.
Reshat Maliqi ishte arrestuar para luftës me ish-grupin e policëve shqiptarë, të cilët e kishin lënë punën, por kishin vazhduar aktivitetin e tyre në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, si aktivistë sindikalë.
Duke qenë se Maliqi si xhudist kishte një fizik të zhvilluar, serbët ia kishin frikën edhe duarlidhur.
Në sallën e gjyqit në Gjilan, ku po mbahej seanca e grupit të Gjilanit, Maliqi ishte sjellë duarlidhur si dëshmitar dhe gardianët kishin refuzuar t`i hiqnin prangat edhe gjatë dëshmisë.
“Ky është i rrezikshëm”, kishin thënë ata.
Për brutalitetin që ishte ushtruar ndaj tij në burgun famëkeq të Prishtinës, kishte treguar asokohe edhe avokati i tij Hasan Hoti, i cili madje kishte shfaqur frikën se klienti i tij nuk do të mbijetonte.
Në një rast, pas luftës, Maliqi ka vizituar burgun-muze të Prishtinës dhe ka shkruar:
“Ky objekt për shumë vite shërbeu si burg hetues në të cilin shtypej me force çdo iniciativë për liri apo kundërshtim të politikës jugosllave. Nga ky vend mbaj kujtime të rënda, që nga sot është shndërruar në Muze, për pak qaste e vizitova dhomën nr. 7 në të cilën kam qëndruar tetë (8) muaj në vitet 1994/95 me ç`rast jam dënuar me gjashtë vite burgim të cilin edhe e kam vuajt në burgje të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, deri në lirimin definitiv të vendit. Lavdi të gjithë atyre që kanë qëndruar në këtë burg famëkeq dhe tani janë të vdekur si dhe atyre që janë të gjallë”, ka shkruar Maliqi, duke e shoqëruar postimin edhe me disa foto nga burgu./Mediafokus.info


