Vendos Gjykata e Apelit: Partia Demokratike zyrtarisht është e Sali Berishës
Një zhbllokim i rëndësishëm ka ndodhur sot në kampin opozitar. Gjykata e Apelit ka vendosur që vulën e Partisë Demokratike t’ia lërë grupimit të Rithemelimit të ish-kryeministrit Berisha dhe ka rrëzuar ankimin e grupit politik të drejtuar nga Lulzim Basha.
Vendimi i sotëm erdhi pasi më herët, në seancën e 27 dhjetorit 2023, Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Vendimi i dhënë sot është i rëndësishëm për të zhbllokuar ngërçin brenda PD, por pasojat që la në këto dy vjet e gjysmë janë të pariparueshme. Praktikisht, kjo situatë e krijuar, ia doli të rrënojë opozitën duke bërë që vendi të qeveriset pa oponencë efektive.
Situata e tejzgjatur, nuk duket se i jep zgjidhje rrënimit opozitar: Sali Berisha është nën arrest shtëpie. Ai nuk lejohet të shkojë as në zyrë, as në Parlament dhe as në aktivitete politike, përballë kreut socialist që ka nisur fushatën për zgjedhjet e prillit 2025 që prej disa javësh.
Shtoji kësaj dhe misterin e fatit të mandatit të Berishës, që do të jetë pas dosa ditësh objekt diskutimi në Parlamentin e kontrolluar nga PS, e gjitha kjo e bën të jetë sërish e zymtë situata në kampin opozitar që gjithsesi përfaqëson rreth gjysmën e popullsisë.
Parashikimet janë të zymta. Megjithatë skenarët janë në shesh. Në skenarin më optimist, Berisha, në rastin më të mirë pret që të dalë nga arresti shtëpiak dhe të shmangë humbjen e mandatit për të nisur një fushatë që nëse fiton zgjedhjet do ta çonte atë sërish në vendin që mban Rama prej 11 vjetësh.
Kurse në skenarin pesimist, Berisha nuk ia del të fitojë lirinë dhe rrezikon të humbë mandatin aktual. Për më tepër, një proces gjyqësor i përshpejtuar mund të zhdukë mundësinë që ai të zgjidhet sërish deputet në zgjedhjet e prillit të ardhshëm.
Berishianët ftojnë zërat kundër në PD
Demokratët e Berishës reaguan menjëherë duke ftuar zërat kundër të jenë pjesë e PD së drejtuar nga ish Kryeministri, aktualisht nën arrest shtëpie me akuzë për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Ish ministri i Brendshëm Flamur Noka, deputet i PD, foli pas vendimit duke ftuar kundërshtarët brenda radhëve të demokratëve që të bashkohen me PD zyrtare të drejtuar nga Berisha, “nëse e ndiejnë veten demokratë dhe në opozitë me narkoregjimin e Edi Ramës”.
Basha thërret mbështetësit e tij te selia 2 e PD
Ish kryetari i PD, Lulzim Basha, njoftoi sot se në orën 17 do të dalë para mbështetësve tek selia e marrë me qira që ndodhet tek ish Kotoni Center pranë godinës ku zhvillohen komisionet e Parlamentit, përballë me Kryeministrinë.
Çfarë ndodhi sot në seancë
Në seancën e sotme Gjykata e Apelit hodhi poshtë ankimimin e grupit të Lulzim Bashës. Apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri i cili shpalli se vula i takon Sali Berishës.
Në seancën e sotme, trupi gjykues i përbërë nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro, për afro dy orë dëgjuan përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës dhe të Partisë Demokratike të Sali Berishës.
Më pas trupa gjykuese u tërhoq për të marrë vendimin dhe e shpalli atë disa minuta më vonë. Gjykata çmoi se simbolet zyrtare të PD janë ato që përdor Rithemelimi i Berishës duke i dhënë fund kështu betejës me palëve brenda Partisë Demokratike.
Pas vendimit reagoi ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet.
Berisha tha se dera është e hapur në PD që tani kontrollohet plotësisht prej tij, për çdo demokrat që ka mendime ndryshe.
Ish kryeministri theksoi se sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia dhe se i vetmi i humbur sot është Edi Rama.
Ai tha edhe se “qëllimi përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e Ramës dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonuar, shpëtimin e Shqipërisë!”
Komunikata zyrtare e Apelit për vendimin
Në vijim të proceseve mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë si më poshtë:
Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ushtruar rekurs ndaj vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ka kërkuar:
-Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm.
-Deklarimin si të papranueshëm të ankimit paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 786, datë 27.12.2023 ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
Në datë 11.06.2024 gjatë rigjykimit të çështjes në gjykatën e apelit, përfaqësuesi me autorizim av.Ivi Kaso i Partisë Demokratike të Shqipërisë, “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” kërkoi:
“Mospranimin e ankimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Përfaqësuesit ligjor av. Indrit Sefa dhe av. Rezart Kthupi, të Partisë Demokratike të Shqipërisë e përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, kërkoi:
“Prishjen e Vendimit me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur: Pushimin e gjykimit, pasi nuk legjitimohen”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 11.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Alma Ahmeti dhe anëtare znj. Elona Toro dhe znj. Iliba Bezati, vendosi:
-Mospranimin e ankimit të ushtruar kundër vendimit Nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-Kundër këtij vendimit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit.
-Vendimi i arsyetuar do t’i komunikohet palëve./noa/

