Veseli: Trepça dhe Ujmani nuk janë në pazar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Trepça dhe Ujmani nuk janë në shitje dhe nuk duhet as të diskutohen në dialogun me Serbinë.

“Ne mundemi me ecë përpara vetëm përmes një ekonomie të shëndoshë private. Këtu nënkuptohet edhe gjigandët të cilët i kemi industrial. As Trepça e as Ujmani nuk janë për pazarë. Për zhvillim ekonomik, për përspektivë, për mirëqenie të qytetarëve po, por jo për pazarë në marrëveshje me Serbinë dhe me askënd tjetër.”, ka thënë Veseli.

Më tutje, ai ka shtuar se gabimi më i madh i Qeverisë aktuale është që në Washington e ka devijuar çështjen e marrëveshjes.

“Nga marrëveshja finale, ku Serbia dhe Kosova përfundimisht do të merreshin vesh, kanë filluar të flasin për çështje të cilat edhe për mua janë të pakuptueshme, sikur liqeni i Ujmanit. Liqeni i Ujmanit ësht pronësi e Kosovës“, ka thënë Veseli.

Në bashkëbisedim me qytetarë, Veseli ka thënë se duhet të ketë një finalizim të procesit të dialogut me një njohje reciproke në mes të dy vendeve. Por, sipas tij, nëse në tavolinë shtrohen çështjet si Ujmani dhe Trepça, atëherë nuk ka për çfarë të bisedohet aty.

“Kosova duhet të ketë lidership për të kaluar situata të vështira të cilat ndonjëherë lidershipi i dobët mundet me ia kriju vetvetes në Kosovë. Në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë ideja ka qenë që të shkohet për një marrëveshje finale që e determinon të ardhmen e Ballkanit Perëndimor e jo të kufizohet në një dokument ku bisedohet për Ujmanin”, ka thënë Veseli.

Në fund, Kadri Veseli ka thënë se për 12 vjet sa PDK ka qenë në pushtet, asnjëherë nuk ka lejuar që të flitet për resurset e Kosovës.