Vetëdisiplina qytetare është e domosdoshme për të tejkaluar më lehtë e më shpejt këtë situatë

Në Gjilan nuk ka deri më tani raste me coronavirus. Ndërkaq, në Viti, një komunë kjo fqinje, tashmë janë konfirmuar 7 raste.

Bëhet fjalë për anëtarë të së njëjtës familje nga Stublla. Besohet se virusin e solli nga Italia kryefamiljari 77-vjeçar, i cili erdhi për pushime në vendlindje.

Autoritetet shëndetësore të vendit kanë bërë thirrje për qëndrim në shtëpi, së paku për dy javët e ardhshme. Vetëm kështu, me vetëdisiplinë, situata mund të tejkalohet më shpejt dhe më me pak pasoja.

Derisa Vitia është futur në karantinë, në Gjilan janë reduktuar aktivitetet ditore, në përputhje me masat e ndërmarra nga qeveria e vendit.

Sado që sot duket pak më “gjallë” se dje, sepse ka më shumë lëvizje të njerëzve dhe veturave, prapëseprapë, krahasuar me ditët e kaluara, qyteti ngjanë me një vend të braktisur.

Njerëzit kanë frikë nga virusi i padukshëm, corona, i cili po tmerron botën. /mediafokus.info