‘Vetëm me shkollë mund ta bëjmë atë që duhet bërë për komb e atdhe’

Hysni Syla

Kanë kaluar plot 114 vjet nga lindja dhe 32 vjet nga vdekja e veprimtarit të palodhshëm, Bacë Hamit Skënderit, nga fshati Zasellë i rrethit të Mitrovicës, po kujtimi e nderimi për veprën e tij madhore në të mirë të çështjes së kombit, në një anë dhe kësaj hiseje të atdheut, që lëngonte dergjur… shekuj me radhë, në anën tjetër, do të mbetet i paharruar nëpër breza e breza. Një jetë ia kushtoi arsimit dhe librit shqip.

Dashuria për kombin e atdheun nuk njeh as moshë, as gjini. Dhe, një dashuri e tillë, nuk është e kushtëzuar që patjetër duhesh të jesh i shkolluar me ndonjë shkollë të lartë, fakultet apo akademi. Ama dashuria e tillë patjetër të drejton vetë drejt përvetësimit të shkrim-këndimit edhe pa kaluar fare nëpër bankat shkollore.

Të tillët njihen ose identifikohen me nocionin autodidakt… I tillë ishte edhe Bacë Hamit Skënderi, i cili ndonëse nuk kishte vijuar ndonjë shkollë, falë atdhetarëve Muhamet Efendia, Xheladin Deda dhe Simon Shkreli, kishte mësuar si i ri shkronjat shqipe, numrat dhe katër veprimet themelore matematikore.

Se, thoshte ai, “të punosh për kombin dhe vendin tënd, duhet të jetë qëllimi kryesor i kësaj jete”. Këndej, të themi shprehimisht, rrethanat e kohës nuk ia kishin mundësuar që ta lexojë edhe aq historinë e kombit dhe të atdheut të vet me sytë e ballit, por ai atë histori e kishte lexuar me sytë e mendjes dhe me sytë e shpirtit.

Dhe, të gjitha ngjarjet madhore të kombit dhe të atdheut, nëpërmes kamerës së trurit, i kishte regjistruar në librin e zemrës e që i jepnin shkëndija flakëruese, të cilat e digjnin eshkë përbrenda. Ishte ndër të parët, në këto anët tona, që e kishte kuptuar drejt maksimën e poetit tonë të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashrit: “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë!”.

Andaj jo vetëm se ishte rreshtuar në krahun e Rilindjes sonë Kombëtare, por ishte bërë edhe zëdhënësi i saj në këtë hise të atdheut, tok me atdhetarët e devotshëm Muhamet Efendinë, Xheladin Dedën, Simon Shkrelin, Bedri Gjinën etj., kur pothuaj se shqiptarët e kësaj hiseje të atdheut ishin gati qind për qind analfabet, si rezultat i intrigave e dredhive të pushtuesve se një popull të pashkolluar, madje në gjuhën amtare jo se jo, do ta mbash të pushtuar shumë më lehtë për një kohë më të gjatë, duke e joshur me lloj-lloj premtimesh të kota e boshe…

Dhe, për ta ndryshuar sado pak gjendjen ekzistuese në arsimimin e bashkëkombësve të vet të kësaj hiseje të atdheut, edhe pse vetë ishte autodidakt, ia kishte shtruar veti detyrë që të sillte libra shqip nga Shqipëria Mëmë…

Dhe, për ta realizuar këtë anë kaq madhore e kaq fisnike nuk i mungonte dëshira, vullneti, entuziazmi dhe mbi të gjitha nuk i mungonte guximi, që ishte çelësi i të gjithave. Po, në aso rrethanash, e vetmja gjë që i mungonte – ishte baza materiale për realizimin e atyre synimeve të larta, fisnike e atdhetare.

Megjithatë, ai i ishte zotuar në heshtje kombit, të cilit i takonte, në njërën anë dhe hises së atdheut, që lëngonte, në anën tjetër në dy rrafshe: një – në rrafshin e përpjekjeve për çlirim nga zgjedha shumëshekullore dhe, dy – në rrafshin e përpjekjeve për arsimimin e tij në gjuhën e mëmës. Se vetëm një arsimim i tillë do të ngritët mbi themelet e shëndosha e frytdhënëse…

Po si do të arriheshin këto, veçanërisht kjo e fundit?… Ai, për fillim, nga pasuria e tundshme (e lëvizshme) e tij kishte vendosur ta shiste një lopë tok me 15 krerë dele.

Të hollat nga shitja e lopës dhe deleve nuk do t’i vinte në ndonjë biznes për të fituar a shtuar pasurinë, po për një kauzë shumë të madhe dhe tepër të rëndësishme për pjesën e hises së atdheut, të cilit i takonte, në arsimimin e kombit të vet të asaj hiseje, duke sjellë libra shqip nga Atdheu Mëmë – Shqipëria.

Në realizimin e asaj ideje madhore, krah mbështetës i kishte atdhetarët si Muhamet Efendinë, Xheladin Dedën, Simon Shkrelin, Bedri Gjinën etj., të cilët kishin edhe shkollë të kryer… (H. Syla)

“Në pranverën e vitit 1924 Hamiti niset për Tiranë për të marrë libra në gjuhën shqipe. Këtë rrugëtim atij ia kishte mundësuar tregtari Sylë Baliqi nga Mitrovica, tokën e të cilit Hamiti e punonte përgjysmë dhe kishte miqësi shumë të fortë me te. Bashkë me të kanë shkuar edhe Mursel Dërvari dhe Zymber Kutllovci.