Veteranët tërhiqen nga organizimi i festës së 14 vjetorit të pavarësisë: U injoruam nga Kurti
Qeveria e Kosovës ka organizuar festimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.
Por, këtë vit Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Këshillin Organizues për këtë festë.
Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar për lajmi.net se arsyeja e mospjesëmarrjes në këshillin organizues të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është injorimi i kryeministrit Albin Kurti ndaj tyre.
“Ne në festën e Pavarësisë marrim pjesë, por jo në Këshillin Organizues. Arsyeja është se dje janë bërë një vit që u bë kryeministër, nuk e kemi taku asnjëherë përpos kur ja kemi uru zyrën, i ka dy e-maile por nuk ka kthyer përgjigje. Po na injoron për takime dhe deri sa ai na injoron që të takohemi kur veteranët e luftës do të duhej të merrnin beneficionet e tyre përmes ministrive të ndryshme dhe për këtë arsye duhet të takohemi me kryeministrin, ai s’na takon, çka me u fut në Këshill Organizues na për ta shënu Pavarësinë, e shënojmë vetë”, ka thënë Klinaku.

