Vetëvendosje dhe PDK akuzojnë njëra-tjetrën për përleshjen në Kuvend
Tensionet në Kuvendin e Kosovës dhe debatet e ashpra disa ditë më parë, nisën pasi portali kosovar Nacionale, publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiq, i cili ka urdhër arrest nga Kosova dhe është në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Lëvizja Vetëvendosje pas përleshjeve fizike në kuvend, akuzoi PDK-në në opozitë për sulm ndaj kabinetit qeveritar. “Deputetë të PDK-së sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës, e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, tha se ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi “i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku nga PDK.
“Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet në reagim të PDK-së.

