Vetplagoset me armë zjarri një person në Viti, Policia zbardhë detajet e fundit për rastin

Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë. E si pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjera, apo duke plagosur veten aksidentalisht, raporton Sinjali.

Sipas ketij mediumi,  një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe sot, para disa orësh në Pozheran të Vitisë, ku një person është vetplagosur.

Burimet e Sinjalit brenda Spitalit të Gjilanit kanë bërë me dije se gjendja e personit tani për tani është stabile.

Ai është plagosur në shtëpinë e tij, derisa familjarët e kanë dërguar me urgjencë deri në spital.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë konfiskuar armën që dyshohet se është përdorur në rast. Teksa pritet këndellja e viktimës për të marrë dëshminë e tij lidhur me rastin.

Për incidentin ka folur edhe Policia e Gjilanit.

“Një person është plagosur në këmbë me pushkë ajrore. Policia në vendin ngjarjes ka konfiskuar armën dhe disa diabolla. Rasti ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës dhe nuk ka ndonjë indikacion që ai mund të jetë plagosur nga dikush. Me rastin po merret policia”, zbulon njoftimi i Policisë gjilanase.