Vetura nga e cila u sulmua Top Channel ishte e një kosovari

Detaje të reja bëhen publike për ngjarjen e cila tronditi Shqipërinë ditën e djeshme, vrasja e rojës në ambientet e televizionit Top Channel, raporton Nacionale.com

Një detaj interesant është zbardhur për herë të parë. Vetura e tipit “Range Rover” me të cilën është kthyer krimi, i takonte një kosovari nga i cili ishte vjedhur në “Tale” të Lezhës.

“Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës.

Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”, thuhet në komunikatën e policisë.

Si pasojë e të shtënave me automatik, roja e Top Channel kishte mbetur i vrarë mesnatën e së dielës. Reagime të mëdha ka pasur nga politikanë, ambasada të huaja e liderë institucionesh.

Disa persona të kapur në pjesë të ndryshme të Shqipërisë ishin arrestuar, si persona të mundshëm se kanë lidhje me kryerjen e sulmit në Top Channel. Njëri nga të arrestuarit ishte edhe ish-dhëndri i viktimës.

Dyshimet e para ishin se ish-dhëndri ishte përfshirë në këtë ngjarje pasi më herët kishte pasur disa probleme me viktimën. Megjithatë, ai u lirua nga Policia e Shqipërisë.