Vidhet transformatori, lihet në terr fshati

Persona ende të paidentifikuar kanë rrëzuar në tokë transformatorin, kanë çmontuar bobinat dhe kanë vjedhur 100 litra vaj, duke e lënë një fshat në terr.

Njoftimi i policisë:

Më datë 06.12.2021, gjatë orëve  të natës, në fshatin  Zenisht, Bashkia  Mat, është dëmtuar kabina eletrike, ku persona të pa indentifikuar kanë rrëzuar në tokë transformatorin, kanë çmontuar bobinat  dhe vjedhur rreth 100 litra vaj. Po punohet intensivisht për indentifikimin dhe kapjen e autorëve.

Transformatori i këtij fshati ndodhet vetëm 5 metra larg rrugës Ura e Matit -Rrëshen, ndërsa hajdutët kanë punuar pa u shqetësuar pasi kanë çmontuar çdo element të saj, përfshirë edhe panelin komandues të tensionit të ulët.

Banorët shprehen se ky nuk është rasti i parë që vidhet në fshatin e tyre pasi prej kohësh, fenomeni është prezent duke vjedhur edhe kafshët shtëpijake.

Vetë banorët kërkojnë që policia e Matit të nisë patrullimet në këtë fshat gjatë orëve të natës, kryesisht pas orës 12:00, pasi ata janë të frikësuar nga vjedhjet e shumta.

Sipas zyrtarëve të OSHEE-së Burrel, po mbrëmjen e djeshme është vjedhur edhe një transformatori i një private, ndërsa pak javë më parë, pre e vjedhjes ka rënë një tjetër transformator në fshatin Batërr, ngjarje të cilat kanë mbetur pa autor.