Violina e usta Isuf Myzyrit

Flitet se këtë violinë ia kishte dhënë Usta Isuf Myzyrit një oficer i nemces gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ushtritë austro-hungareze u futën në Elbasan duke përzënë ushtrinë serbe.

Fare rastësisht ushtaraku i huaj kishte kaluar andej nga Ura e Zaranikës dhe tej portokallave të një bahçeje, dëgjoi tingujt magjepës të një violine.

I befasur nga interpretimi, oficeri i huaj kërkoi dhe takoi instrumentistin. Dhe ja, para tij u shfaq një vendas rreth të 40-tave, fytyrëzbehtë, i veshur me tirq, xhamadan e qeleshe…dhe me një violinë të vjetër në dorë!!! Sa çudi!

Në periferi të këtij qyteti të vogël me fizionomi pothuajse orientale, qenkësh dikush që luan në violinë?!

Kjo pamje paksa sureale e shtangu të huajin me uniformë ushtarake, sepse mendoi që do të takonte ndonjë zotëri me kostum alla frënga, me borsalinë e kravatë, por jo!

Mendimet iu ngatërruan në kokë, ndaj u ul e ndenji pak kohë aty duke dëgjuar muzikën e Ustait.

Pas ndonja 10-15 minutash u çua pa dëshirë për t’u larguar, por i mrekulluar nga saktësia dhe larmia e melodive të luajtura nga ky virtuoz i çuditshëm.

Të nesërmen, oficeri i nemces i dhuroi violinën e tij. /Bukurosh Dylgjeri

Në foto usta Isuf Myzyri në qendër me violinë i shoqëruar nga orkestrantët.