Viti, nxënësi 11-vjeçar dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë nga një 13-vjeçar në oborr të shkollës
Një 11-vjeçar dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë nga një 13-vjeçar në oborrin e shkollës fillore të mesme të ulët “Ndre Mjeda” të fshatit Kabash të komunës së Vitisë më 31.05.2024.
Sipas informatave të KALLXO.com, nxënësi që dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë është i klasës së pestë, ndërsa nxënësi që dyshohet se e ka lënduar atë është i klasës së shtatë të shkollës “Ndre Mjeda”.
Prindi i 11-vjeçarit që dyshohet se u lëndua në shpinë me mjet të mprehtë, E.H. pretendon se drejtoria e shkollës nuk e ka lajmëruar rastin në Polici dhe as ndihmën e shpejtë për ta trajtuar nxënësin.
Kur KALLXO.com e ka pyetur Policinë në Gjilan, ata e kanë konfirmuar se rasti ishte raportuar në stacionin policor në Viti më 31.05.2024, nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti.
“Rasti në Stacionin Policor në Viti është raportuar me datën 31.05.2024 rreth orës 15:19 nga Qendra e Mjekësisë Familjare në qytetin e Vitisë. Në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se rasti ka ndodhur në oborrin e një shkolle në fshatin Kabash të komunës së Vitisë në të cilin rast dyshohet se viktima ka marrë lëndime nga një mjet i mprehtë” – thuhet në përgjigjen e Policisë më 05.06.2024.
Lëndimi i 11-vjeçarit me mjet të mprehtë është inicuar si “lëndim i lehtë trupor”, njofton Policia, ndërsa, palët e përfshira janë në procedurë të intervistimit.
Në anën tjetër, sipas E.H., gruan e tij e kishte njoftuar mësuesja për lëndimin e djalit të tyre dhe se 11-vjeçari ishte dërguar fillimisht në QKMF të Vitisë, më pas në Spitalin e Gjilanit.
Drejtori i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini, ka thënë se 11-vjeçari është trajtuar në repartin e kirurgjisë të Spitalit të Gjilanit, mirëpo fillimisht ishte pranuar në Emergjencë më 31.05.2024.
“Ka nejtë tri ditë në spital, nuk ka pasë lëndime serioze edhe ai është lëshu në shtëpi” – ka thënë Emini më 05.06.2024.
“Është raportu me një plagë edhe është shiku ajo plagë, janë bërë ekzaminimet përcjellëse, është bërë, e di këtë kirurgu e ka thënë – është bërë rentgen i toraksit, rentgen i gjoksit që me pa mos ka depërtu ajo majë e briskut, e thikës, mos ka depërtu thellë me ba lëndime edhe të organeve të brendshme. Nuk ka pasë” – ka deklaruar Emini.
Kurse, drejtoresha e Arsimit në Viti, Arta Ajeti, ka thënë se është në dijeni në lidhje me rastin nga dita e hënë, më 03.06.2024 dhe se për të i kishte kërkuar një raport drejtorit të shkollës.
Sipas Ajetit, drejtori Musa Murati ia kishte përshkruar shkurtimisht në raport se çka kishte ndodhur mes dy nxënësve.
Drejtori i shkollës “Ndre Mjeda”, Musa Murati, është kontaktuar dy herë nga ekipi i KALLXO.com më 05.06.2024.
Herën e parë drejtori Murati është shprehur se ishte i zënë. Ndërsa, herën e dytë kur është kontaktuar Murati ka thënë “Jam i zënë për momentin, jam në organe, zyrtarisht jam, n’organe. N’organe jam, m’fal, m’fal, diten e mirë” dhe e ka mbyllur telefonin.
Si dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë 11-vjeçari në oborrin e shkollës?
Sipas E.H., djali i tij mëson në ndërrimin e pasditës dhe kishte qenë në oborrin e shkollës me një shok të tij.
Ai thotë se të dy kishin dalë në oborr të shkollës pasi kishte qenë data 31.05.2024, para Ditës së Fëmijëve – 1 Qershor, kur shkollat organizojnë aktivitete për ta shënuar këtë ditë.
Si rrjedhojë, E.H. pretendon se 13-vjeçari, nxënës i klasës së shtatë, kishte shkuar në oborrin e shkollës dhe e kishte lënduar me mjetin e mprehtë djalin e tij në shpinë, në anën e majtë.
Teksa ai akuzon shkollën se nuk e kishte ndihmuar djalin e tij pasi ishte lënduar, thotë se gruaja e tij e kishte marrë atë nga shkolla “Ndre Mjeda” dhe e kishte dërguar në QKMF të Vitisë.
“Tani nuk kanë reagu shkolla si shkollë, as nuk e ka lajmëru ndihmën e parë, as nuk e ka lajmëru Policinë. E ka njoftu mësuesja e djalit gruan time, tani gruaja ka shku te shkolla e ka marrë, e ka çu në QKMF Viti, prej aty me ndihmë të parë ka shku në Gjilan” – ka thënë E.H.
Sipas tij, kur gruaja e tij kishte shkuar ta marrë djalin në shkollë, drejtori i shkollës “Ndre Mjeda”, Musa Murati, i kishte thënë se s’është plagë e rëndë ajo që kishte marrë 11-vjeçari.
Për këtë ai ka treguar edhe fletëlëshimin e Spitalit të Gjilanit, në të cilin përshkruhet trajtimi dhe lëndimi që ka pësuar 11-vjeçari.
Sipas fletëlëshimit të Spitalit të Gjilanit për 11-vjeçarin, ai është pranuar në Spital më 31.05.2024 dhe është liruar më 03.06.2024, dhe kërkohet kontrollë e tij pas tre ditësh, pra më 06.06.2024.
Në këtë fletëlëshim shkruan se 11-vjeçari ishte pranuar në repart të Kirurgjisë nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjilanit pasi që është therur me mjet të mprehtë në regjionin e shpinës.
“Plagën e ka në shpinë në anën e majtë, e ka 2cm të shpuar, në mes brinjëve 11 dhe 12” – ka treguar E.H.
E.H. kishte qenë në Prishtinë kur djali i tij dyshohet se ishte lënduar me mjet të mprehtë, dhe se ishte njoftuar pasi kishte shkuar 11-vjeçari në Spitalin e Gjilanit për t’u trajtuar.
“Normal, si prind shqetësim kam pasë unë prej Prishtinë deri sa kam ardhë m’u ka dokë rruga shumë e gjatë, deri sa kam mbërri në Spital, e kam thirrë normal shoqen për mbi 10 herë në telefon me e pyet vet qysh është gjendja” – ka shtuar E.H.
“Po, masi kam shku në Gjilan në Spital e kam thirrë i kam thënë: “Pse mos m’i ofru ndihmë?” Ka thënë: “Nuk jam unë me ta rujtë djalin, janë Policia” – ka thënë E.H.
Si rezultat i pretendimit të tij se shkolla nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta ndihmuar djalin e tij që dyshohet se u lëndua në oborrin e shkollës, ai tha se e ka paditur më 03.06.2024 drejtorin e shkollës “Ndre Mjeda” dhe shkollën.
“Normal i kam bërë padi shkollës edhe drejtorit. Më kanë thënë të lajmërojmë për çdo rast… S’ka reagu, djalin ma kanë lënë në oborr të shkollës. S’kanë ndërmarrë masa kurrgjë, nuk e kanë njoftu tani as Policinë u bo rasti kishe s’ka ndodhë kurgjo. Policia ka shku te shkolla, masi ka shku në QKMF Viti” – ka theksuar E.H.
“Prindi i viktimës së rastit ka paraqitur ankesë në Stacionin Policor në Viti me dyshimin se nga drejtori dhe stafi i shkollës nuk i është ofruar ndihma e duhur. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Mosdhënie e ndihmës“ i cili rast në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit është në procedurë hetimore nga njësiti i hetuesisë të Stacionit Policor Viti. Palët janë të njoftuara në bazë të procedurave ligjore dhe të njëjtit janë në proces të intervistimit” – janë përgjigjur nga Policia në Gjilan më 05.06.2024.
E.H. ende nuk e di se a do ta lejojë të birin ta vazhdojë mësimin në shkollën “Ndre Mjeda” si pasojë e këtij rasti.
“Vallahi hala s’kam vendosë, normal, s’e di hala, për momentin nuk e di. Po normal si mos t’ketë siguri shkolla, sot i ka ndodhë, nesër mund m’i ndodhë edhe një tjetrit fëmijë, nuk është që s’më dhimset edhe tjetërkujt m’i ndodhë” – ka thënë ai.
Ai ka thënë se edhe vetë e ka përfunduar shkollimin e mesëm në të njëjtën shkollë dhe se nuk ka pasur problem më herët me shkollën apo drejtorin.
KALLXO.com e ka pyetur edhe Prokurorinë e Gjilanit për këtë rast dhe nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

