Vitia bëhet me shtatore të Nënë Terezës dhe me obelisk të Micheline Calmy-Rey

Në qytetin e Vitisë është bërë sot përurimi i shtatores së Nënës Terezë si dhe obeliskut të ish presidentes së Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey.

Në ceremoninë e zbulimit, pos kryetarit të komunës, Sokol Haliti, kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Kosovë, Richard La Vay, komandanti i Kampit Ushtarak në Bondsteel, kolonel Ross Walker si dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji e Husamedin Hoxha nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Kosovë.

Më pas është bërë edhe zbulimi i pemës që është mbjellë në Viti, në shenjë respekti dhe nderimi për mbretëreshën tanimë më të ndjerë të Britanisë së Madhe, Elizabeth II.

Ndërkaq pas kësaj ceremonie është mbajtur edhe panairi i produkteve bujqësore në sheshin “Gursel dhe Bajram Sylejmani” në Viti.

Po ashtu, sot për nder të ditëve të Mërgatës, nën organizimin e Zyrës së Kryetarit dhe të drejtorisë për Kulturë, me partnerë të saj, janë shënuar edhe disa aktivitete të tjera si: dyert e hapura të bibliotekës së qytetit për diasporën, aktivitete sportive si dhe do të mbahet një koncert për diasporën po edhe nata finale e festivalit ndërkombëtar “N’Karadak krisin Tupanat”.

Në përurimin e shtatores së Nënë Terezës kryetari Haliti foli për rëndësinë dhe vlerën që ka ajo për qytetarët vitias.

“Ngritja e shtatores së Nënë Terezës në qytetin e Vitisë, ka një domethënie të veçantë për komunitetin lokal dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ajo simbolizon vlerat e humanizmit dhe solidaritetit që kanë rëndësi thelbësore për të ndërtuar një shoqëri të fortë dhe të bashkuar”, tha ai.

Kurse Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën e tij të rastit e quajti popullin shqiptar të privilegjuar në shekullin 20.

“Jemi një popull i madh dhe i privilegjuar prej Zotit në shekullin e 20-të, sepse ai na ka dhënë një nënë dhe ne ia kemi dhënë një bijë, e kjo nënë nuk është veç e jona por e gjithë botës”, u shpreh Dodë Gjergji.

Ndërkaq, në aktivitetin për zbulimin e obeliskut të Micheline Calmy-Rey, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly tha se ajo fatkeqësisht nuk ka mundur të jetë e pranishme në këtë ngjarje por përmes tij përcjell urimet më të përzemërta për Vitinë dhe Kosovën.

Kurse në aktivitetin për zbulimin e pemës për nder të mbretëreshës, tanimë të ndjerë të Britanisë së Madhe, Elizabeth II, ka folur përfaqësuesi i Ambasadës Britanike në Kosovë, Richard La Vay, i cili ndër tjerash tha se Ambasada Britanike ka një bashkëpunim shumë të mirë me Vitinë, duke përmendur edhe që në këtë qytet është vendosur kompleksi memorial i gazetarit britanik të rënë në detyrë Kerim Lawton.

Ai tha se kjo pemë është shumë e veçantë pasi që është edhe porosi e Mbretëreshës të mbjellen pemë nëpër botë, duke cilësuar si një dedikim të veçantë për monarkën tani më të ndjerë.