Vitia mbledhë drejtorët e shkollave, diskutohen masat parandaluese ndaj koronavirusit

Komuna e Vitisë ka biseduar sot me drejtorët e shkollave rreth masave për parandalimin e virusit COVID-19, megjithëse zyrtarisht deri më tani në Kosovë nuk ka raste.

Drejtori i Arsimit Basri Aliu tha se kjo komunë është duke zbatuar Planin e veprimit të Ministrisë së Arsimimit Shkencës dhe Teknologjisë për parandalimin e COVID-19 dhe bëri me dije se Komuna e Vitisë veç se ka formuar ekipet koordinuese për parandalimin e këtij virusi.

Ai kërkoi nga drejtorët e shkollave që të informojnë DKA-në rreth nevojave për furnizim me mjete higjienike, pasi që qeveria ka ndarë 10 milionë euro për këtë çështje është e domosdoshme që shkollat të dezinfektohen dhe të furnizohen me mjete dezinfektuese.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se drejtoria duhet të koordinohet me nivelin qendror dhe të shikojë mundësitë e ndalimit të tubimeve masovike.

Ndërkaq zv/kryetari Hasan Aliu tha se nuk kemi nevojë të krijojmë panik për shkak të këtij virusi por theksoj se duhet të ndërmerren masat pasi ky virus është përhapur në gjithë botën dhe kemi lëvizje të madh të popullatës nga shtetet e ndryshme, të cilat tanimë veç se janë prekur nga ky virus.

Ndërkaq, në mesin e drejtorëve të shkollave, pati edhe propozime për ndërprerjen e procesit mësimor./mediafokus.info