Vjedhje e rëndë në Gjilan – zhduket një ton bakër, dëmi rreth 14 mijë euro
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në Gjilan, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në ambientet e një kompanie dhe kanë marrë një sasi të madhe materiali me vlerë të konsiderueshme.
Siç mëson Sinjali, ngjarja është raportuar më 30 mars 2026, ndërsa dyshohet se ka ndodhur gjatë natës mes 29 dhe 30 marsit, në rrugën “Enver Rexhepi”, konkretisht në objektin e kompanisë “EUROCABLE” SHPK.
Sipas informacioneve fillestare, të dyshuarit kanë hyrë në objekt përmes një dritareje në pjesën e pasme të ndërtesës, duke përdorur forcë për të depërtuar brenda.
Nga aty, ata dyshohet se kanë vjedhur rreth një (1) ton fije metalike bakri, me vlerë të përafërt rreth 14 mijë euro, sipas deklarimit të pronarit.
Rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitet përkatëse në Gjilan.
Autorët mbeten ende të paidentifikuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
