“Vjeshta e Gjilanit” vazhdon këtë të shtune me “Studimet e zgjedhura letrare të Anton Nikë Berishës
Në veprimtarinë e radhës të Manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, do të paraqitet dhe vlerësohet kompleti i studimeve të zgjedhura në dhjetë vëllime i prof. dr. Anton Nikë Berishës, njërit nga studiuesit më të shquar të letërsisë në hapësirën mbarëshqiptare, po edhe i letërsisë botërore, në këto pesë dekada e sa.
Për këtë korpus veprash, që si të tilla shënojnë dhe njërën nga ngjarjet më të rëndësishme letraro-shkencore të këtij viti në Kosovë, pritet të flasin, prof dr. Behar Gjoka, (Tiranë), prof dr. Kamber Kamberi, (Gjakovë), si dhe nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, Nexhat Rexha, Kaltrinë Berisha, Sabit Rrustemi e Arsim Halili.
Ndërsa veprimtarinë letrare do ta drejtojë shkrimtarja Albinë Idrizi.
Krijuesit letrarë, ardashësit, po dhe mësimdhënës të gjuhës e letërsisë shqipe janë të mirëseardhur këtë të shtunë, më 22 nëntor, 2025, ora 12:00, në Sallën për Konferenca të Bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan.

