Vjeshta në gurbet veç dhimbje sjell
Ra vjeshta ngadalë mbi tokë të huaj
Gjethet bien si lotët e shpirtit
Era më sjell aromën e dheut tim
Por unë jam larg, në gurbet i humbur.
Në degë të thata zogjtë s’këndojnë më
Si zemra ime që hesht e s’gjen prehje
Në dritare shoh shiun që troket me mall
Si një zë nga vendlindja që më flet pa fjalë.
Në rrugë të huaja hapat e mi lodhen
Çdo cep më duket i ftohtë, i zbrazët, i huaj
Ndërsa kujtimet më thërrasin në heshtje
Te oxhaku i vjetër, aty pranë mëmës.
Vjeshta më flet me gjuhën e mallit
Me ngjyrat që djegin si zemra kur qan
Oh, sa do doja të isha në atdhe tani
Të prek dheun, të shoh qiellin tim pranë.
Por jam këtu, në një vend të largët e ftohtë
Në krah të gurbetit që plagë më ka bërë
E shkruaj këtë varg me lot në shpirt
Se vjeshta pa atdhe veç dhimbje më sjell.
Sabedin Sherifi
Hanau, shtator 2025

