Vjosa Osmani rezulton pozitiv me COVID-19
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka rezultuar pozitiv me COVID-19, raporton Mediafokus.info.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku ka njoftuar se gjatë dy javëve të ardhshme do të punojë nga shtëpia.
Ushtruesja e detyrës së presidentes ka kërkuar nga qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të mos e injorojnë rrezikun nga virusi.
“Të nderuar qytetarë!
Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.
Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.
Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.
Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!”, ka shkruar Osmani.

