Vlerësimi i nxënësve – një proces që kërkon drejtësi, objektivitet dhe standarde të qarta

Sabedin Sherifi

Vlerësimi i nxënësve është një nga aspektet më delikate dhe më të rëndësishme në procesin arsimor.

Ai nuk ka për qëllim vetëm vendosjen e një note, por mat nivelin real të njohurive, zhvillimin e aftësive dhe progresin individual të çdo nxënësi.

Për këtë arsye, mësuesi duhet të zotërojë metoda profesionale dhe kritere të qarta për të vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Si matet njohuria e nxënësve?

Njohuria e një nxënësi nuk matet vetëm me një pyetje të rastësishme apo një përgjigje të shkurtër. Ajo vlerësohet përmes një kombinimi metodash që garantojnë një pasqyrë të plotë të aftësive:

Testet me shkrim, të cilat matin saktësinë, logjikën dhe kuptimin.

Pyetjet me gojë, që tregojnë aftësinë për të shpjeguar dhe argumentuar.

Detyrat e shtëpisë, që vlerësojnë përgjegjësinë dhe thellimin e njohurive.

Projektet dhe punët praktike, që testojnë kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve.

Vëzhgimi i vazhdueshëm, ku merren parasysh angazhimi, sjellja dhe përparimi.

Vetëm një kombinim i këtyre formave siguron një vlerësim të drejtë dhe të balancuar.

Cilat kritere duhet të përdorë mësuesi?

Mësuesi duhet të punojë sipas kritereve të cilat janë:

Të matshme – jo subjektive, por të bazuara në detyra dhe rezultate konkrete.

Të njëjta për të gjithë nxënësit – secili vlerësohet sipas të njëjtit standard.

Të qarta – që nxënësi ta dijë saktësisht çfarë pritet dhe çfarë vlere ka çdo detyrë.

Të ndershme – nota duhet të reflektojë njohuritë reale, jo preferencat apo simpatitë personale.

Këto kritere përfshijnë:

Nivelin e përvetësimit të njohurive teorike

Aftësinë për të shpjeguar dhe për të menduar në mënyrë kritike.

Aftësinë për të përdorur njohuritë në situata praktike

Saktësinë e përgjigjeve

Progresin individual gjatë vitit

Modeli evropian dhe ai finlandez – standardet moderne të vlerësimit

Në sistemin arsimor evropian, sidomos në Finlandë, vlerësimi bazohet kryesisht në përqindjen e përvetësimit të lëndës.

Nxënësi konsiderohet i kaluar kur arrin rreth 60% të njohurive të programit, duke shmangur subjektivitetin dhe vlerësimin e bazuar vetëm në një moment të vetëm.

Kjo qasje është më e drejtë dhe më profesionale, sepse e vlerëson nxënësin për atë që di realisht, e jo për një përgjigje të vetme gjatë një ore.

Problemi te ne – vlerësimi sipas përshtypjes, jo sipas standardit

Fatkeqësisht, në disa shkolla tona ende gjenden praktika të vjetruara, ku një nxënësi i mjafton të “thotë dy mësime” për të marrë notë të ulët, ndërsa vlerësimi nuk bazohet në një sistem të saktë përqindjeje apo në kritere të shkruara.

Një qasje e tillë e ul cilësinë e mësimdhënies, demotivon nxënësin dhe krijon ndjenjë padrejtësie.

Përfundim

Vlerësimi i drejtë është themeli i një arsimimi cilësor.

Kur mësuesi përdor metoda të qarta, standarde të njëjta për të gjithë dhe vlerësim objektiv, nxënësi motivohen të mësojë më shumë, të zhvillojë aftësitë e veta dhe të ndjejë se puna e tij ka vlerë.

Vetëm duke zbatuar praktika moderne, si ato të sistemit evropian dhe finlandez, mund të ndërtojmë një kulturë arsimore ku arsimi matet me profesionalizëm, e jo me subjektivitet.

………………….

Autori është ish student i shkollës finlandeze të mësimdhënies