Vonesa në nxjerrjen e ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës, është dështim përballë historisë dhe sakrificës së atyre që sollën lirinë

Izmi Zeka

Sot u aprovua një rezolutë për mbrojtjen e vlerave të luftës në Kosovë. Kjo, megjithatë, është një hap i mirë, por jo i mjaftueshëm.

Kosova është vonuar në mënyrë të pajustifikueshme në nxjerrjen e ligjit për lustracionin dhe të ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

Kjo vonesë nuk është vetëm procedurale, por një dështim përballë historisë dhe sakrificës së atyre që e sollën lirinë.

Pa këto dy ligje, nuk mund të ketë as pastrim të vërtetë institucional, as drejtësi të plotë shoqërore.

Gjërat nuk do të ndryshojnë as në aspektin e konsolidimit të shtetit të Kosovës, as në ndarjen përfundimtare nga strukturat dhe mendësia e sistemit të kaluar, përkatësisht atij serbo-sllav në Kosovë.

Vazhdimi i kësaj gjendjeje e mban të hapur plagën e së kaluarës dhe e zbeh besimin e qytetarëve në institucionet e tyre.

Bota i ka trajtuar këto procese me kohë dhe me vendosmëri, duke e kuptuar se pa drejtësi dhe pa ndarje të qartë me të kaluarën, nuk ka shtet të fortë dhe as të ardhme të sigurt.

Prandaj, çdo vonesë e mëtejshme është e papranueshme.

Sa më herët që të kalojnë këto ligje, aq më mirë për shtetin dhe për shoqërinë.

Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për ligje në letër, por për dinjitet, për drejtësi dhe për një të ardhme që nuk ndërtohet mbi harresë, por mbi të vërtetën.

Dhe këtë borxh, Kosova nuk ka më luksin ta shtyjë.