Vrasja në Lipjan, i dyshuari pranon fajësinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ku viktimë ishte tani i ndjeri Enver Bajraktari nga Lipjani, ka bërë të ditur se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me veprime të pandërprera hetimore, që nga momenti i raportimit të rastit, sot më 12.08.2025 është realizuar një urdhër kontroll në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit.

Sipas një njoftimi për media ka bërë të ditur se gjatë këtij veprimi policor në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T.K.

Tutje në njoftim thuhet se pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.

 “I njëjti është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore. Prokuroria dhe Policia mbeten të përkushtuar për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ditë më parë një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.

Viktima Enver Bajraktari ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.