Vrau të birin dhe bashkë me gruan tentuan ta paraqesin rastin si aksident
Një vit nga ngjarja e rëndë në Korçë, ku babai vrau djalin e tij Hamdi Bylykbashi dhe së bashku me të shoqen tentuan të fshihnin krimin, Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar në gjyq dy prindërit.
Në njoftimin zyrtar Prokuroria thote se Shefki Bylykbashi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” ndërsa gruaja e tij për veprën penalee “Deklarim i rreme para oficerit të policisë gjyqësore”.
Sipas pretendimeve të para të familjarëve, ai ishte rrëzuar dhe kishte vrarë kokën, në oborrin e banesës, duke qenë në gjendje të dehur.
Por, e vërteta ishte ndryshe.
“Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qënë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit”, sqaron prokuroria, raporton panorama.al

