Vriten gjashtë punëtorë të agjencisë së OKB-së për refugjatët në Gazë
Gjashtë punëtorë të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, njoftoi të martën Zyra e OKB-së për Çështje Humanitare (OCHA).
Në përgjithësi, 35 anëtarë të kësaj agjencie janë vrarë qe nga 7 tetori kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Punëtorët humanitarë nuk janë kursyer nga bombardimet e pareshtura izraelite në dy javët e fundit në Gazë, të cilat Ushtria izraelite po i kryen pasi grupi militant Hamas e kreu njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë 75-vjeçare të Izraelit.
“Që nga fillimi i luftimeve, së paku 16 punëtorë shëndetësorë janë vrarë në detyrë, bashkë me 35 anëtarë të stafit të UNRWA”, tha OCHA në një komunikatë për media.
“Gjashtë prej tyre u vranë vetëm në 24 orët e fundit”, tha ajo.

