Vritet me armë zjarri ish-kryetari i Komunës
Ka ndërruar jetë në spital, ish-kryetari i komunës së Velipojës, Pashko Ujka, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Shkodrës.
Atentati ndaj tij u bë gjatë pasdites së sotme në afërsi të Kishës Ortodokse pranë banesës së tij.
Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të 64-vjeçarit teksa ky i fundit po dilte nga banesa.
Mësohet se një prej plumbave e ka kapur në zonën e shtyllës kurrizore. Ai u dërgua menjëherë në spital por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Më herët familjarët e të ndjerit kanë bërë thirrje për për dhurim gjaku në mënyrë që të shpëtojnë jetën e 64-vjeçarit.
Sipas News24, kjo është hera e tretë që qëllohet me armë zjarri në drejtim të Pashko Ujkës, ku atentati rezultoi fatal për jetën e tij.
Kujtojmë që Pashko Ujka ka qenë kryetar komune në vitet 2011-2015, dhe nga dyshimet e para plagosja mund të lidhet me kohën kur ka ushtruar detyrën si kryetar komune.
Pashko Ujka ka shërbyer edhe si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka qenë pjesë e Partisë Aleanca Demokratike dhe Partisë Demokristiane të Nard Ndokës.
Njoftimi paraprak i Policisë së Shkodrës për ngjarjen:
Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.

