Vuajtën bashkë nga COVID-19, e humbë betejën miku i ish-kryetarit të Fushë Kosovës
Kanë vuajtur bashkë në përballjen me COVID-19. Por shoku i dhomës në Spital dhe miku i moçëm i ish-kryetarit të Fushë Kosovës, Skënder Zogaj, Adem Gjikokaj e ka humbur betejën me virusin, raporton Mediafokus.info.
Në një shkrim plot emocion, Zogaj ka rrëfyer se e kishte në dhomë të spitalit njeriun shembullor, burrin e ndershëm, të vyeshēm dhe të pathyeshëm për komb e atdhe.
“Më 10 nëntor 2020, papandehur, Covid-19 më përplasi në Spitalin Infektiv të Prishtinës. Shumë i dëshpëruar kur hyra në dhomën me dy shtretër, si një rreze drite mu shfaq fjala e personit të shtrirë në krevatin tjetër, aty pranë. Ishte miku im i vjetër, Adem Gjikokaj, që aty për aty u përpoq të ma zbuste dhembjen duke më dhënë kurajo të mos i nënshtrohesha Covidit-19”, ka shkruar Zogaj.
Postimi i plotë:
I rëndë – rufe, u dha lajmi i vdekjes së mikut tim të vjetër e shumë të dashur, Adem Gjikokajt, nga Deçani, që e kisha njohur 40-vjet më parë, por viteve të fundit shiheshim më rrallë. Më 10 nëntor 2020, papandehur, Covid-19 më përplasi në Spitalin Infektiv të Prishtinës. Shumë i dëshpëruar kur hyra në dhomën me dy shtretër, si një rreze drite mu shfaq fjala e personit të shtrirë në krevatin tjetër, aty pranë. Ishte miku im i vjetër, Adem Gjikokaj, që aty për aty u përpoq të ma zbuste dhembjen duke më dhënë kurajo të mos i nënshtrohesha Covidit-19.
2.
Fati në fatkeqësi: kisha pranë
njeriun shembullor, burrin e ndershëm, të vyeshēm dhe të pathyeshëm për komb e atdhe!
Si gazetar e kisha të njohur gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, sidomos pas vitit 1981, që ka qenë dritë frymëzuese e fuqishme kulturore në gjithë Dukagjinin, ku Ademi ishte prijatari dhe menaxhuesi brilant i kultivimit, përhapjes dhe afirmimit të krijimtarive artistike teatrore, muzikore, letrare dhe i gjithë thesareve të traditës shqiptare, që ky burr i madh e bënte në funksion të zgjimit dhe forcimit të qëndresës kombëtare për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!
Ademi ishte një vigan, i cili s’ia kishte aspak frikën regjimit okupues, që e ndiqte hap pas hapi, por nuk mund ta ndalonte, sepse Adem Gjikokaj ishte një lis me rrënjë në shkëmb, që nuk
u trembet stuhive! Atdheu dhe liria ishin ideali i tij mbi gjithçka tjetër. Nga të parët ishte në radhët e UCK, ku dinjitetshëm kryen detyrat, duke dhënë gjithçka nga vetja për popull e atdhe, e duke mos kërkuar asgjē nga Atdheu!
3
Ky ishte Adem Gjikokaj, që jetoi dhe punoi siç i ka hije bijve të shqiptarisë! Prandaj, vdekja e hershme është një humbje e madhe, që therr zemrat e të gjithë neve që të njohëm dhe që përjetësisht do të krenohemi që tē patëm shok e mik.
Me kalimin tënd n’amshim, e kemi vështirë të pajtohemi, por s’e ndryshojmë dot! Por, edhe ne shokët e tu, sikurse familjarët e tu:
Fortuna, Petriti, Venera, Arta, Kreshniku… dhe gjithë farefisi yt, do të ruajmë në zemrat tona, duke u lutur: I Madhi Zot, bekoje me dritën e parajsës shpirtin e bardhë të Adem Gjikokajt!


 
 
						 
						