Vuçiç vazhdon të shohë endrra: Nuk do të ketë Kosovë të pavarur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të premten në një takim të Partisë së tij Progresive Serbe (SNS) në Pançevë, afër Beogradit, se ka pritje që Serbia ta dorëzojë Kosovën “në pjatë”.

“Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, këtu në shtet, nuk do të lejoj që të shkatërrohet Serbia, dhe nuk do të ketë Kosovë të pavarur”, ka thënë Vuçiç.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës. Kosova dhe Serbia, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Në shkurt të këtij viti, ato kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, dhe në mars për aneksin e zbatimit të saj. Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.