Xhevrie Osmani fiton një ulëse në Parlamentin e Gjenevës

Edhe politikania shqiptare, Xhevrie Osmani, ka fituar një mandat si deputete në Parlamentin e Kantonit të Gjenevës  (Këshilli i Madh i Kantonit) në zgjedhjet e 2 prillit 2023 në këtë kanton zviceran.

Duke qenë politikania e dytë me rrënjë shqiptare që ka fituar ulëse në Kuvendin e Kantonit, pas Leonard Feratit, meritor për këtë mbase janë bashkatdhetarët, e të cilët i kanë dhënë përkrahje në garën elektorale kandidatëve me emra shqiptarë, njofton Albinfo.ch.

Xhevrie Osmani është me rrënjë  nga Gjilani i Kosovës, migroi së bashku me prindërit e saj në Gjenevë të Zvicrës, qysh si fëmijë.

Ajo, në këtë qytet të njohur të diplomacisë ndërkombëtare përfundoi me sukses të gjitha nivelet e shkollimit.

Përkushtimi i saj në punë u kurorëzua me diplomim në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit shtetëror të Gjenevës.

Osmani, edhe pse e re  në moshë  është me përvojë në politikë. Ajo vlerësohet të ketë qenë e suksesshme si këshilltare në komunën Meyrin të Gjenevës.

Me kusht që t’i avansojë edhe më tutje dijet ajo, bënë edhe studime shtesë në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Kriminale dhe Administrative,pranë Universitetit Publik të Lozanës, gjegjësisht atij të Bernës.