“Xhipa të zi”- Kryesuesi i AKP’së e “zhgënjen” Kurtin, ja ankesat e punëtorëve

Para se të vinte në pushtet, kryeministri aktual Albin Kurti, kritikonte politikanët për xhipa të zinj e vetura zyrtare. Mirëpo sot në pushtet, bashkëpartiakët e tij s’është që po veprojnë më ndryshe. Kryesuesi i bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Mentor Hyseni, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka nxjerrë një vendim që nga gushti i vitit të kaluar që i mundëson ta ketë në shfrytëzim për 24-orë veturën zyrtare të tipit ‘Peugot’. Madje, punonjës në AKP janë ankuar se ai po ua uzurpon parkingun.

Një sinjalizues në Gazetën Insajderi është ankuar për sjelljet e drejtorit të AKP’së. Gjegjësisht, mënyrës se si, siç shprehet ai, Hyseni uzurpon parkingun e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Sipas tij, vetura vozitet edhe nga bashkëshortja e tij.

“Mentor Hyseni e shfrytëzon veturën. Domethënë e keqpërdor pozitën me veturën e AKP-së, gjë që si takon e s’ka asnjë të drejtë. Plus, bashkëshortja e tij vjen në mëngjes e parkon veturën zyrtare në parking të AKP’së. Ky e ka marr veturën në shtëpi 24 orë më herët por edhe tash”, ka thënë ai në një ankesë që ka dorëzuar tek Insajderi.

Për këto pretendime, Gazeta Insajderi iu është drejtuar përmes një kërkese për qasje në dokumente publike Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët iu janë përgjigjur pozitivisht kërkesës.

Ata kanë njoftuar se që nga gushti i vitit të kaluar, përmes një vendimi që ka kaluar nga bordi i drejtorëve të AKP’së Hysenit iu është mundësuar që një veturë zyrtare të tipit ‘Peugot’ ta ketë për 24 orë të tëra në shfrytëzim.

“Përgjigja është po, ka leje/vendim nga Drejtori Ekzekutiv për ta përdorur 24 orë, vendimi DM 303-2023 datë 01.08.2023”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

Mediumi është interesuar të dijë edhe për shpenzimet në naftë që Hyseni ia ka bërë veturës që nga koha kur e ka marrë në shfrytëzim për 24-orë. Në bazë të të dhënave që ka dhënë AKP’ja, nga gushti deri në fund të vitit 2023, Hyseni i ka harxhuar 637 euro në naftë. Ndërkaq që nga fillimi i këtij viti e deri më tash 342 euro.

Nga AKP’ja kanë mohuar se bashkëshortja e Hysenit vozit veturën zyrtare të tij.

“Vetura përdoret vetëm sipas procedurave ligjore të përcaktuara në Rregullorën e sipërcekur”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e AKP’së.