Ylfete Fanaj, njëra nga tri kandidatet për ekzekutivin e Kantonit të Lucernit
Melanie Setz, Ylfete Fanaj apo Yvonne Zemp Baumgartner: Njëra prej tyre do të kandidojë për PS në zgjedhjet për Këshillin Qeveritar të Lucernit, në prill të vitit 2023.
Emërimi i njërës nga këto do të bëhet nga baza e tyre partiake, (SP), këtë vjeshtë.
Partia Socialdemokrate (SP) e kantonit të Lucernit ka nisur fushatën e saj zgjedhore për këshillin drejtues pak më shumë se një vit përpara datës së zgjedhjeve përkatëse, që do të mbahen më 2 prill të vitit 2023.
Ajo ka prezantuar sot, e mërkurë, tri kandidatet, transmeton albinfo.ch. Ato janë: ish-kryetarja e Parlamentit Kantonal të Lucernit, Ylfete Fanaj (39 vjeçe) nga Lucerni, ish-këshilltarja kantonale Yvonne Zemp Baumgartner (54 vjeçe) nga Sursee dhe parlamentarja në detyrë Melanie Setz (41 vjeçe) nga Emmen-i.
Të tri politikanët përveç që prezantuan para mediave prioritetet e tyre politike, folën edhe për origjinën dhe aktivitetet e tyre profesionale.
Fanaj, Setz dhe Zemp Baumgartner tani e tutje do të prezantohen në bazën e tyre në dhjetë aktivitetet që do të mbahen në të gjithë kantonin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, shkruan Luzerner Zeitung.
Paraqitjen e tyre të parë ato e kanë të shtunën në konferencën e partisë, në Rothenburg. Tri kandidatet janë përcaktuar në janar nga menaxhmenti i partisë – me kërkesë të komisionit të rekrutimit, i cili drejtohej nga ish-kryetarja e grupit parlamentar, Priska Lorenz.

