Ylli Gramatiku, studenti 71-vjeçar i Shqipërisë!

Ka histori frymëzuese të cilat dëshmojnë se çfarë do të thotë të mos reshtësh kurrë duke ndjekur ëndrrat tua.

E tillë është edhe historia e Ylli Gramatikut, i cili është zyrtarisht studenti më i moshuar në Shqipëri!

TRT Balkan bisedoi me Gramatiku për të zbuluar më shumë rreth historisë së tij.

“Unë jam i datëlindjes 1954…(71 vjeç). Mbarova shkollën e mesme te Petro Nini. Kalova në fakultet, inxhinieri mekanike. Jashtë dëshirës sime. Dëshira ime ishte mjekësia faktikisht”, shpjegon Ylli.

Për shumë vite, ai ka punuar si inxhinier mekanik, derisa me ardhjen e demokracisë, vendosi ta hapë restorantin e tij në Tiranë.

Që prej asaj kohe, restoranti të cilin Ylli e drejton me shumë pasion, vazhdon të funksionojë normalisht.

“Në vitin 2010 hapa një fermë, meqenëse kisha blerë një tokë në Petrelë. U investova shumë mirë në fermë; me bagëti me të gjitha proceset e fermës. Ironia ishte që pas përfundimit të fermës, unë u sëmura, duke konsumuar ushqimet e gabuara për mua, me modelet e tanishme”, thotë Ylli për TRT Balkan, duke argumentuar kështu edhe motivimin kryesor për t’iu rikthyer studimeve.

Në moshën 69 vjeçare, ai vendos të interesohet pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të parë nëse mund të regjistrohej në ciklin master.

Ylli shpjegon se fillimisht jo vetëm i dukej e pamundur, por nga ana tjetër hasi vështirësi edhe për gjetjen e dokumenteve të regjistrimit.

“Një mikja ime, pedagoge, më tha që do të shkojmë ta takojmë dekanin. Takuam dekanin, ai na dha aprovimin. Më priti shumë mirë faktikisht. Edhe më tha plotëso dokumentet e regjistrimit. Vetëm diplomën kisha të fakultetit, as notat as asgjë”, rrëfen nutricionisti.

Në këto dy vite studim, Ylli nuk ka bërë asnjë mungesë në leksione apo seminare, teksa tregon se nuk i pëlqen të shpenzojë kohë në kafene.

Pas mësimit, ai drejtohet te restoranti i tij dhe, pasi menaxhon stafin, lexon dhe përgatitet për të nesërmen deri në 12 të natës.

“Dëgjoja gjëra që s’i kisha dëgjuar asnjëherë. Jashtë linjës sime, jashtë viteve. Kur u ktheva në restorant, hapa librat. Aty ishte fatale, më vinte të qaja i them unë. Shikoja gjëra që s’i kuptoja fare që do t’i mësoja.” thotë nutricionisti.

Ndër të tjerash, Ylli tregon se pasi të përfundojë studimet master, ka ndërmend të studiojë sërish, e nëse jo, të nisë një projekt tjetër nga e para.

Dhe, teksa fliste për studimet, ai tregoi se mosha e tij ishte diçka që i bënte përshtypje të tjerëve përqark, e jo atij vetë.

Në filozofinë e të jetuarit dhe në mendësinë e Yllit, ne jemi aq vjeç sa ndihemi dhe sekreti është një dietë e mirë ushqimore.

Nutricionisti tregoi se ashtu si pjesa dërrmuese e shoqërisë, edhe ai ndihej vazhdimisht i lodhur, madje “i plakur”, teksa rrëfen se që prej momentit që ka nisur të ushqehet shëndetshëm, nuk është ndjerë kurrë më i ri, madje as në të njëzetat…