Ylli që ndriçoi të ardhmen e gjeneratave të futbollit
Murat Hoxha
(Fadil Vokrri, 23.07.1960 – 9.06.2018)
E mbajë në kujtesë gjithmonë, jetoj me veprat dhe me vizionin e Presidentit të FFK-së, legjendën e Futbollit të Kosovës, njeriun i cili sfidoi një botë të tërë, strategun i cili të mëdhenjtë e futbollit i ktheu kah Kosova.
U takua me ata pa termine, brenda dhe jashtë shtëpisë së futbollit evropian e botëror.
U “ligështuan” para tij Bllateri e Platini, Infantino edhe shumë personalitete të menaxhmentit të lartë të institucioneve të futbollit.
Fluturoi në Zurich, Gjenevë, Paris, Bruksel e ku do që e kërkonte nevoja, për të arritur objektivin që Kosova të bëhet pjesë e barabartë në familjen e futbollit evropian e botëror.
Ai e krijoi dhe e fuqizoi këtë besim jo vetëm te sportistet, por edhe te struktura politike të cilat kishin doza skepticizmi.
Ai sfidohej me të pamundshmen të cilën e kthente në fitore. Besimi ishte virtyt i tij e motiv për ne.
Sot jam me kujtimet e tij, në KF Prishtina, ku e filloi lavdinë, në Beograd ku ishte timoni i Partizanit dhe i reprezentacionit të ish Jugosllavisë, në Turqi e Francë, e prapë në Prishtinë, si menaxher, reformues i KF Prishtina, në FFK si ideator i ndërkombëtarizimit, si president, menaxher e diplomat futbolli.
Sot jam me kujtime në rrugëtimin e tij për të krijuar një përfaqësuese të denjë të Kosovës, jam me të në lojërat miqësore dhe kompetitive të Kosovës, jam me kujtimet e momentet kur “kaluam ylberin” në Budapest.
Kujtoj ankthin dhe gazimin e madh kur u deklarua se Kosova është anëtare e UEF-as. Kujtoj atë përqafim, lotët e gëzimit dhe krenarinë të cilën na e solli ai.
Jam ne kujtimet e debateve, ndejat dhe humorin e veçantë të tij.
Sot ndihem krenar që jetova në epokën e tij, në epokën e një miti i cili në mënyrë profetike e bëri të kënaqur një komb të tërë, i cili e rriti imazhin e Kosovës në Evropë dhe Botë.
Isha i vogël para tij, tani ndihem krenar që për 10 vjet isha pjesë e stafit të ngushtë të tij.
Ishe mik, shok i ngushtë, udhërrëfyes dhe frymëzues imi.
Unë do vazhdoj t`i mbajë në mendje e zemër kujtimet e tij, do eci me ato deri sa të jetoj, një yll i cili i ndriçon të vlerësuarit, bamirësit dhe ata që janë afër Zotit të gjithëfuqishëm.
Prehu në paqe President, legjenda jonë, miti i futbollit, ylli që ndriçon rrugën dhe të ardhmen e gjeneratave të futbollit.

