Zaki Asllani: Nuk më ka lodhur gara, më ka lodhur hipokrizia

Zaki Asllani (AAK) ish-kandidate për deputete dhe për kuvend komunal në Gjilan ka sqaruar publikun se në këto zgjedhje nuk do të jetë pjesë e garës.

Pas shumë pyetjeve dhe interesimit, po ju përgjigjem publikisht: Unë, Zaki Asllani nuk do të jem pjesë e garës komunale, ka shkruar ajo.

Njoftimi i plotë:

Kam marrë një vendim të qartë dhe të menduar mirë: këtë herë nuk do të jem pjesë e garës komunale.

Dhe, jo sepse më ka lodhur gara. Përkundrazi. Më ka lodhur hipokrizia.

Kam qenë kandidate për deputete, kam qenë për këshilltare komunale, gjithmonë me votë reale – pa blerje, pa pazare, pa ulje dinjiteti.

Për mua, është nder të humbasësh me ndershmëri, sesa të fitosh përmes marrëveshjeve të errëta nëpër tavolina.

Sot shoh shumë “luftëtarë” që janë shndërruar në tregtarë të bindjeve.

Dezertimi i tyre nuk është mungesë force është mungesë karakteri.

Unë nuk kam nevojë të jem gjithmonë në listë apo fletëvotim. Mjafton të jem në paqe me ndërgjegjen time. Sepse në fund të ditës, ajo që mbetet nuk është post, është fytyra.

Për mua, nder është edhe të humbasësh me kokën lart, por kurrë të fitosh duke u përkulur.

Sot, shumë të tjerë po dezertojnë – por jo nga politika. Po dezertojnë nga vetja.

Kolegëve të mi në listën e AAK-së ju uroj nga zemra sukses dhe fitore me dinjitet.

Jam krenare për secilin që vazhdon të qëndrojë me parime, me përkushtim dhe me besim te qytetari.

Fitore të ndershme dhe rrugë të mbarë – me zemrën dhe mbështetjen time gjithmonë pranë jush!