Zakonisht në emër të popullit gjatë historisë janë vendosur diktaturat

Izmi Zeka

Përfaqësuesit Evropian dhe lider shtetëror në shumicën e rasteve edhe pse po përballen me Korona Virusin me ngulm kërkojnë që mos të lejohet që në emër të Pandemisë të shkelen lirit dhe të drejtat themelore të qytetarëve të garantuara me Kushtetutë.

Me një fjalë mos të abuzohet me pushtetin. Demokracitë e zhvilluara nuk lejojnë keqpërdorimin por edhe shkeljen flagrante të ligjeve në fuqi.

Nuk ka arsyetim që kushtetuta e Kosovës me vetëdije për herë të dytë të shkelet dhe të injorohet në emër të Pandemisë.

Demokracia dhe të drejtat qytetare nuk duhet të lejohen të nëpërkëmben nga njerëz të papërgjegjshëm por edhe ata që janë në krye të qeverisë e që kanë obligim respektimin e saj.

Absurditeti më i madh është se për herë të parë në Kosovën e pas luftës ndodh që me vetëdije bëhen hapa kundër kushtetues në emër të Pandemisë apo edhe inateve personale që vetëm njerëzit që kanë mentalitet ballkanik dhe jo vetëm ballkanik por me prirje autoritare shkelin më dy këmbë autoritetin më të lart të vendit Kushtetutën e Kosovës.

Zëri duhet të ngritët nga të gjithë pa dallim sepse qeveritë shkojnë e vijnë, pandemia nesër kalon por demokracia dhe vlerat e ndërtuara me mund për 20 vite mund të dëmtohen shumë dhe pasojat mund të jenë afatgjate.

Qeveria Kurti në detyrë problemin më të madh e ka me vetveten dhe me prirjet populiste që sado pak të nesërmen të mbledh ca kokrra.

Po harron një fakt që tani është në pyetje jeta e qytetarëve dhe në këtë kontekst loja dhe lufta meskine e dëmtojnë shtetin e Kosovës por edhe jetën e qytetarëve.

Qeveria Kurti duhet të merret me kalimin e kësaj situate dhe përgatitjen për infuzion në sektorit privat në mënyrë që të mos lejohet kolapsimi i ekonomisë sepse përndryshe pasojat ekonomike do të jenë fatale dhe afatgjate.

Shkelja e Kushtetutës me vetëdije për herë të dytë tregon edhe një fakt të çuditshëm se si etja për pushtet të pakufizuar dhe pa kontroll, Kosovën e vë në sprovë përball demokracive evropiane.

Thirrja në emër të Pandemisë e kësaj Qeverie nuk ia lejon as nuk ka të drejtë të shkel institucionin më të lartë shtetëror siç është Kushtetuta e Kosovës.

………………………………………………………………………….

(Autori është ish-zëvendësministër i Brendshëm)