Zbardhet dëshmia e autorit në gjyq: “Nuk do ta kisha vrarë por…”
Leonard Bashaliu përfundoi në prangat e policisë fill pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Gjocaj të Peqinit.
Pas konfliktit verbal Leonardi qëlloi me pistoletë në drejtim të Ylberit, duke e lënë këtë të fundit fillimisht të plagosur. Mandej 44-vjeçari u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Dëshmia e autorit
“Kurrë nuk do ta kisha vrarë, por më ka dhunuar dhe fyer vazhdimisht. Kohët e fundit edhe më pati kërcënuar. Ndjehesha i rrezikuar. Më kishte stresuar aq shumë sa nuk kisha më qetësi dhe nuk flija as gjumë. I kisha thënë; “mos më shqetëso”, por ai vazhdonte të ma nxinte jetën. Edhe herën e fundit kur jemi parë në mëngjes rastësisht në lokal ishte ai që më kërcënoi pa i thënë unë asnjë fjalë. U ndjeva i poshtëruar para të njohurve dhe fillova ta urrej deri në atë masë sa vendosa që t’i jap fund kësaj historie torturuese. Dola jashtë dhe një mijë mendime më vinin në kokë. Ika nga lokali dhe mora armën, u ktheva shpejt dhe e qëllova. Fillimisht u ndjeva i lehtësuar, por u pendova shpejt por nuk korrigjohej me ajo që bëra. Ishte e tmerrshme. U kërkoj ndjesë familjarëve të tij”, -mësohet të jetë shprehur autori i vrasjes.
E kaluara e autorit dhe viktimës
Në njoftimin e Policisë thuhet se ngjarja ka ndodhur për motive banale. Megjithatë, korrespondenti i “Panorama” zbardhi të tjera detaje mbi të kaluarën e autorit të dyshuar dhe viktimës.
Mësohet se mes tyre ka pasur një konflikt të hershëm që e ka zanafillën 5 vite më parë, kohë kur autori i dyshuar është konfliktuar me viktimën pasi ky i fundit i kishte gërvishtur automjetin. Po ashtu Leonard Bashaliun e shqetësonte fakti që Ylber Xhahysa hiqej si i “forti” i fshatit.
Dyshohet se Bashaliu ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Xhahysës, i cili ndonëse u dërgua nga të afërmit në spital, nuk u mbijetoi plagëve të marra.
“Panorama” mëson po ashtu se autori i dyshuar është shfaqur i rënduar psikologjikisht pas krimit.
Ai ka thënë në deklarimin e parë pas arrestimit se “u zumë kot pasi para 5 vjetësh me ka qëlluar me grusht dhe sot filloi debati me fjalë e përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit”.
I ndjeri, baba i dy fëmijëve, ishte pronar i një Kabllori për transmetime televizive në zonë, transmeton panorama.

