Zbardhet skandali pse bombolat e gazit po vrasin në Kosovë

Shpërthimet e fundit nga bombolat e gazit që kanë ndodhur në Kosovë, kanë qenë shkak për të menduar se sa të sigurta janë ato për përdorim dhe sa kontrollohen nga shteti para së të importohen dhe të furnizohen pikat përdoruese. Por, në vendin tonë po del që nuk ka kompani të autorizuara për kontrollimin e tyre dhe asnjë institut nuk po e merr përgjegjësinë mbi supe për këtë çështje të ndjeshme.

Shpërthimet në Prishtinë dhe në Ferizaj si shkaktar kryesor kanë pasur bombolën e gazit, saktësisht rrjedhjen e tyre.

Mirëpo, ndonëse të lehta për përdorim, qoftë për ngrohje apo gatim, bombolat e gazit në Kosovë nuk kanë aspak siguri.

Madje, shteti nuk është në dijeni se sa të vjetra janë ato, apo kush i kontrollon para shpërndarjes së tyre nëpër lokale e pika tjera.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, tha se në Kosovë nuk ka është paraparë autorizim për furnizim të tregut me bombola të gazit dhe se për vënien e tyre në treg përgjegjës është vetëm përfaqësuesi që i importon ato.

Nga ana tjetër, kjo ministri ka rënë në kundërshtim me përgjigjen e Syrit me atë të dhënë për media tjera, pasi, për Syrin tha se nuk është paraparë autorizim për furnizim të tregut me bombola të tilla, kurse, për medien tjetër tha se është vetëm një inspektor që mbikëqyrë trupat e autorizuara!

Sidoqoftë, MEA tha se tregu në vendin tonë është i mbushur me vite të tëra me bombola, të cilat nuk i janë nënshtruar ndonjë kontrolli paraprak, prandaj rastet e aksidenteve kryesisht janë shkaktuar nga bombolat e vjetruara dhe të pashqyrtuara.

Por, sa kompani në Kosovë importojnë bombola gazi?

Sipas një informate të siguruar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë janë 10 kompani që kanë licencë për të importuar gaz nga e gjithë bota, 5 kanë licencë për shpërndarje të gazit me shumicë dhe 235 subjekte tjera janë të licencuara për shpërndarje të gazit me pakicë.

Ndërsa, çështja e sigurisë së bombolave të gazit po del të jetë shqetësuese edhe për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala.

Shala në një prononcim për Syri Kosova tha se gazi i tillë, paraqet rrezik të përgjithshëm te qytetarët.

“Sa i përket pikës se bocave të gazit që një pjese shumë e madhe e qytetarëve dhe bizneseve po i përdorin për nevojat e tyre personale, unë mendoj që ky fenomen i eksplodimit është duke paraqitur rrezik të përgjithshëm për ta” tha ai.

Po ashtu, Shala tha se bombolat e tilla duhet të jenë të pasiura me tiketa të cilat tregojnë se si duhet përdorur ato.

“Pra, institucionet si inspektorati në nivel lokal, por edhe atij qendror, duhet që të bëjnë inspektime dhe të hartojnë një procedure standarde për deponim, shfrytëzim të bocave të gazit që kështu të mënjanohet rreziku për eksplodim” janë fjalët e tij.

Se sa janë të sigurta restorantet në Kosovë që përdorin bombola të tilla, nuk e dinë as nga Shoqata e Gastronomëve.

Për Syri Kosova, nënkryetari i kësaj fushate, Veton Zuka, tha se përgjegjësia për këtë pjesë u takon vetëm pronarëve të lokaleve të tilla.

“Ne si shoqatë nuk kemi ndonjë informacion për sigurinë e lokaleve, pasi kjo gjë është nën përgjegjësinë e secilit lokal. Pastaj, një gjë e tillë varet nga furnitorët e bombolave të gazit në lokale të ndryshme dhe është punë e Inspektoratit të Tregut” tha Zuka.

I pyetur se a iu vjen ndonjë raport nga Inspektorati për sigurinë e lokaleve pas kontrollimit të tyre, Zuka tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë, madje, as këta vet nuk kanë kërkuar.

Madje, Shoqata e Gastronomëve për Syri Kosova tha se po mendojnë të organizojnë një trajnim me pronarët e lokaleve në Kosovë, me njerëz kompetent, në mënyrë që ata të mësohen se si të veprojnë në rast të ndonjë fatkeqësie në vendin e tyre të punës.

I ndikuar nga ngjarjet në Ferizaj dhe Prishtinë, me formën se si duhet të përballemi me zjarrin e shkaktuar nga bombolat ka treguar eksperti Rrahman Sefedini.