Zbulohet një video tronditëse nga ndeshja Portugali-Slloveni

Është publikuar një video e regjistruar në një ndeshje të Euro 2024 në Frankfurt në të cilën tre roje sigurie mbajnë një tifoz ndërsa një i katërt e godet me grushte dhe shqelma.

Rasti tani është duke u hetuar nga policia gjermane.

Videoja është publikuar në mediat portugeze dhe ngjarja ka ndodhur në tunelin që të çon në fushën ku Portugalia luajti kundër Sllovenisë të hënën, shkruan Sky News .

Në fillim të videos shihet se si rojet e sigurisë e kanë mbajtur një person në dysheme me fytyrë poshtë, ndërsa tjetrin e kanë shtypur për mur dhe e rrahin.

Pas postimit të pamjeve në platformën X, një përdorues ka pyetur policinë e Frankfurtit për ngjarjen. Policia është përgjigjur: “Ne jemi në dijeni dhe tashmë po e hetojmë ngjarjen”.

UEFA tha gjithashtu se ishte në dijeni të incidentit midis stjuardëve dhe tifozëve në ndeshjen Portugali-Slloveni dhe se “dënon çdo sjellje të dhunshme”.

“Ngjarja në video tani është objekt i një hetimi policor. UEFA nuk është në gjendje të bëjë komente të mëtejshme derisa hetimi të përfundojë”, thanë ata.

Deklarata është bërë edhe nga organizata Football Supporters Europe, e cila përfshin grupe tifozësh nga i gjithë kontinenti dhe bashkëpunon me UEFA-n. “Kushdo që konstatohet se është përgjegjës nuk ka vend në stadium dhe duhet të përgjigjet për veprimet e tyre”, thanë ata.

Meqë ra fjala, në ndeshjen e 1/16-ave, Portugalia mundi Slloveninë në kohën shtesë, pasi ndeshja përfundoi 0-0 pas lojës së rregullt./paparaci