Zbulohet pllakë përkujtimore për Mustafën në selinë e LDK-së, në 24-vjetorin e vrasjes së tij
Xhemail Mustafës, i cili ishte këshilltar i ish-presidentit Ibrahim Rugova, i është vendosur portreti si pllakë përkujtimore në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo u bë me rastin e 24-vjetorit të vrasjes së tij, bën të ditur kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, përcjell Klankosova.tv.
“Së bashku me zonjën Bahrije, vajzën Berianën e djalin Besianin, së bashku me vëllaun Ganiun, Gemin e vogël, së bashku me Erolidën e Kushtrimin, kujtuam Xhemën si atdhetar, si veprimtar, si shkrimtar e si krijues – mbi të gjitha si bartës i lëvizjes rugoviste për liri, pavarësi e demokraci. Trashëgimia e tij politike do të ekojë në brezni!”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
“Xhema i vjetër u mor nga familja herët e padrejtësisht në hyrje të banesës së tij; Xhema i ri, na shfaqet secilën ditë tek Besiani sot – një mik, një profesionist e një patriot i kohës sonë!”, shtoi ai.
Kandidati i LDK-së për kryeministër tutje tha se portreti i Mustafës i vendosur afër shokut të tij Enver Malokut, u qëndron si kujtesë e fortë e themeleve të forta të Republikës.

