Zëdhënësi i PDK’së tregon se a do t’i bashkohen qeverisë Hoti 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka demantuar disa shkrime nëpër media të cilat e ndërlidhnin këtë parti me hyrjen në qeverinë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti, raporton Mediafokus.info.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, me anë të një postimi në Facebook, ka shtuar se hyrja në qeveri as nuk është diskutuar në organet e partisë.

Postimi i plotë:

Sot, në disa portale dhe media, është shpërndarë lajmi se kinse PDK ka dhënë shenja për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, ose nuk është duke e mohuar pjesëmarrjen e saj në koalicionin qeverisës në të ardhmen.

Ndërsa, kur e lexon ose e degjon intervistën e prof. Enver Hoxhajt, është e kundërta e asaj që thonë këta tituj e lajme.

Edhe pse e kemi përseritur shumë herë, disa media po vazhdojnë ta thonë të kundërtën e asaj që ne e kemi thënë.

PDK është në OPOZITË, hyrja në qeveri as që është trajtuar nga organet e partisë!/Mediafokus.info/