Zgjedhjet: Kosova nuk ka më nevojë për koalicione me afat skadence të shkurtër

Myzejene Selmani

Kosova me të gjitha përgatitjet pritet që në janar të vitit të ardhshëm të mbajë zgjedhjet. Këto zgjedhje janë pasojë e inateve dhe tekeve individuale që zakonisht iu nënshtrohen grupet politike.

Kolltukët e larta politike po vlerësohen si ëmbëlsirë më e preferuar. Dhe është normale në një garë politike. Por është amorale të shkilet mbi çdo parim, për të arritur aty.

Lufta për postin e presidentit po e shkatërron çdo koalicion, dhe kjo po i kushton vendit.

Në zgjedhjet e pritshme uroj që akëcila parti të përcaktojë disa parime të emërimeve, njerëzve kredibilë dhe jo pa asnjë ditë stazh pune.

Secili qytetar ka preferencat e tij politike. Megjithatë e përbashkëta e gjithë pritjeve të qytetarëve është drejtimi i qeverisë nga njerëz me duar të pastra, pa dosje, njerëz profesionistë që dinë t`i japin përgjigje me veprime çdo situate për të cilën janë përgjegjës.

Kosova nuk ka më nevojë për koalicione me afat skadence të shkurtër, duke mos arritur të përmbushë as 30 për qind të programit të saj.

Kosova ka nevojë për njerëz përgjegjës që nuk i nënshtrohen medoemos çfarëdo marrëveshje politike që përcillet me nepotizëm, korrupsion, ndarje postesh.

Kosova ka nevojë për njerëz që dinë dhe krijojnë hapësirë për tërheqjen e investitorëve të jashtëm, që të zbusin shkallën e papunësisë dhe jo të jetojnë me ëndrrën e liberalizimit të vizave dhe ikjes masovike nga vendi.

I duhet një arsim cilësor, investim në resurset mjekësore dhe jo listat vjetore prej nga 500 kërkuesish të ndihmës për shërim jashtë vendit.

Institucionet kanë nevojë për administrim cilësor. Dhe mbi të gjitha sundim të ligjit.