Zhduket një 14-vjeçare në Gjilan, familja kërkon ndihmë për ta gjetur

Rasti është paraqitur në Stacionin Policor në Gjilan rreth orës 00:55 të datës 15 mars, nga nëna e saj L.B., e cila ka raportuar se vajza e saj R.K. (14-vjeçare) është larguar nga shtëpia më 13 mars rreth orës 13:00, duke u nisur për në shkollën “Musa Zajmi”.

Sipas deklarimit të nënës, e mitura është parë po atë ditë rreth orës 14:00 në shoqërinë e një personi rreth 20-vjeçar, i identifikuar si E.B.

Kontakti i fundit me vajzën është bërë përmes rrjeteve sociale, ku ajo kishte thënë se ndodhej te një shoqe.

Që nga ora 18:00 e datës 13 mars, familja nuk ka pasur më asnjë kontakt me të, ndërsa telefoni i saj ka mbetur i fikur.

Policia ka nisur veprimet për lokalizimin e të miturës dhe sqarimin e rrethanave të zhdukjes, ndërsa për rastin pritet të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorin kujdestar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e të miturës R.K., ta njoftojnë menjëherë policinë.