Zjarret përfshijnë jugun e Shqipërisë

Prej disa ditësh zjarret dhe tymi kanë përfshirë jugune Shqipërisë, ku flakët kanë djegur qindra hektarë pyje, por më problematike situata paraqitet në Tragjas dhe Karaburun, ku flakët janë riaktivizuar duke djegur sërish sipërfaqe të tëra.

Në Ksamil, rrezikohet edhe zona e banuar. Një tjetër vatër zjarri u aktivizua gjatë mbrëmjes së djeshme në Malin e Milesë.

Aktualisht sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në pika të ndryshme ,ndërsa në Karaburun zjarri po i afrohet parkut të Llogarasë.

Dy grupe punonjësish të zjarrfikëses së Vlorës janë nisur drejt vatrave të zjarrit në Gadishullin e Karaburunit dhe në fshatin Tragjas për të shuar flakët. Punonjësit po luftojnë me mjete rrethanore dhe në kushte mjaft të vështira që të vënë në kontroll vatrat e zjarrit.

Situatë problematike duket edhe në vendgrumbullimin e mbeturinave në Fier, shkruan A2CNN.

Lidhur me zjarret e ditëve të fundit ,Kontrolli i Lartë i Shtetit me urdhër të kreut të saj Arben Shehu, ka nisur një kontroll mbi të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit. Inspektorët e KLSH kanë nisur kontrolle në të gjitha qytetet problematike ku situata paraqitet më e rëndë. Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative.

KLSH gjithashtu do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve. Nëse do të hasen shkelje përgjatë kësaj situate do të ketë referime përkatëse në prokurori.