Zjarri djeg shtëpinë, por jo edhe bujarinë shqiptare në Amerikë
Para disa javësh, një anëtar i komunitetit shqiptar në Illinois humbi shtëpinë e tij në një zjarr shkatërrues.
Për fat të mirë, askush nga familja (gruaja dhe dy vajzat) nuk u lënduan, por të humbasësh gjithçka është një dhimbje që nuk përshkruhet lehtë.
Por nga hiri i fatkeqësisë lindi një gjest që na kujton se njerëzimi dhe zemra shqiptare nuk njohin kufij.
Bujar Bektashi, ish-anëtar i bordit të Komunitetit Shqiptar-Amerikan në Illinois dhe familja e tij, e dëgjuan lajmin dhe pa asnjë hezitim ofruan shtëpinë e tyre këtu në Illinois për familjen e prekur — ndërkohë që ata vetë janë për vizitë në vendlindje.
Një gjest i pastër, i natyrshëm, që buron nga tradita shqiptare e mikpritjes dhe kujdesit për njëri-tjetrin.
Kjo është forca e komunitetit tonë. Ky është shpirti që i mban të lidhur shqiptarët atje dhe kudo, pavarësisht largësisë apo kohës.
E ndajmë këtë histori për të falënderuar publikisht familjen Bektashi nga Nasalca e Bujanocit për këtë veprim fisnik, por edhe për të na kujtuar të gjithëve që secili prej nesh ka mundësinë të bëjë diçka për dikë tjetër.
Një derë e hapur, një akt i ngrohtë, një shtrat për të pushuar sepse ndonjëherë nuk ka nevojë për më shumë.
Familja Bektashi tregoi se shtëpia nuk është vetëm mure e çati, por është edhe një vend ku hapet zemra.


