‘Zonës së kuqe’ anti-Covid i shtohen edhe tri komuna
Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar dje disa nga masat anti-Covid, për komunat e Kosovës, sipas kategorizimit të ri lidhur me numrin e të infektuarve në 100 000 banorë.
Zonës së kuqe i janë shtuar tri komuna, zonë kjo ku bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në këtë zonë janë 21 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Kamenica, Skenderaj, Kllokot dhe Graçanica.
Zona e kuqe mbyllet plotësisht nga ora 19:00. Ndalohen hyrjet daljet në këto komuna nga ora 19:00 deri në ora 05:00.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, apo komunat prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 15 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Shtërpca, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Rahoveci, Junik, Istrogu, Mamusha dhe Hani i Elezit.
Zona e verdhë lejohet të punojë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Pas orës 18:00, gastronomia dhe hoteleria punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.
Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Pjesë e kësaj zone janë vetëm dy komuna: Dragashi dhe Novobërda.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qeveria e Kosovës e ka bërë dje rishikimin e masave të ndërmarra para dy javësh, duke i shtuar komunat në ‘zonen e kuqe’.

