Zvarritja e punëve në rrugën Verbicë e  Zhegocit – Sllovi

Shkruan: Nevzad Isufi

Më kujtohet si sot, kur në zgjedhjet lokale të vitit 2017, gjatë kohës së fushatës zgjedhore, u bë fushatë e veçantë edhe për këta pak qytetarë të mbetur në fshatrat e Verbicës së Zhegocit e Sllovisë, duka ua ofruar disa kamionë, të mbushur me gjysmë dhe e gjysmë zhavorr, që u hodhën në rrugën e këtij fshati, me premtimin se sapo të vijë pranvera kjo rrugë do të shtrohej.

Thënë realisht, kjo as që kishte ndihmuar këta banorë të fshatit, por përkundrazi, sepse ky “gjysmëzhavorri” kishte mbetur pa u ngjeshur me makinerinë e nevojshme, dhe kështu më shumë pengonte se sa ndihmonte.

Prej atëherë kanë kaluar 3 vjet. Pranverat po vijnë e po shkojnë e rruga edhe më tutje mbetet e pashtruar. Projekti për realizim të rrugës Verbicë e Zhegocit- Sllovi prej 1.346.909,34 euro, i mbeten më pak se katër muaj për t’u realizuar. Banorët po heqin të zitë e ullirit për një udhëtim deri në qytet e si duket pushtetarët komunal shpresojnë, se do të shtyjnë projektin si çdo projekt deri tash.

Por askush s’qanë kokën e nuk interesohet se si udhëtojnë përditë nxënësit, punëtorët, se si ia bëjnë të sëmurët për të arritur deri në shtëpi të shëndetit a spital. Ky dimër ishte fat edhe i këtyre banorëve, përndryshe do të bllokoheshin, siç u bllokuan që me borën e parë që ra para një muaji.

U deshtë që vet banorët të kërkonin ndihmë nga dikush tjetër e të gjenin zgjidhje dhe të përveshnin mëngët vet, për të hapur rrugën, sepse institucionet përgjegjëse nuk kishin ndërmarrë asgjë.

Tashmë që kur kanë filluar punimet edhe për autostradën vështirësitë janë rritur edhe më. Qarkullimi i kamionëve me pesha të rënda e makineritë tjera për mihje e punë tjera përgatitore, kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë edhe më shumë këtë rrugë.

Me prerje të rrugës me hedhje dheu, me shembje gurësh, të cilët askush si largon nga rruga, duket sikur dikush do me çdo kusht t’ua pamundësojë kalimin këtyre pak banorëve të mbetur të këtyre anëve. Gjatë dimrit rruga me plot gropa e ujë, ndërsa gjatë gjithë verës shtohet edhe pluhuri i dendur që ngrihet gjatë zhvillimit të punimeve.

Dëme jo të vogla janë shkaktuar edhe në rrugën e asfaltuar deri te përmendorja e dëshmorëve, e cila ka më pak se 10 vjet që është shtruar. Rruga ( asfalti) ngjanë më shumë me vendet ku është shterur uji nga thatësia, i qarë e plasaritur. Ka dëmtime të mëdha dhe për të qenë e shfrytëzueshme, normalisht do riparim po thuajse të tërësishëm.

Diku nga peshat e mjeteve të rënda – kamionët, janë bërë gunga asfalti të rrezikshme, të cilat edhe dëmtojnëuar automjetet e udhëtarëve, e diku-diku, ka çarje e gropa të mëdha. Pra, duke dashur të ndreqet diçka, prishet diçka tjetër. Banorët nuk e dinë se kur do t’u vijë fundi këtyre punimeve, sigurisht duhen vite, por po e dinë që çdo ditë e më tepër vështirësitë për jetë e punë në këtë anë, po bëhen të pa përballueshme.

Nëse edhe këta pak banorë të mbetur, do të shpërngulen, kujt do t’i duhej një rrugë në një të ardhme pa njerëz?! Ne nuk po llogaritemi për njerëz e nuk do të mbesim as numra e vota – thotë një banor i revoltuar i fshatit.

(Autori është kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan)