Zvicerani plagos kosovarin se po bënte zhurmë

Një zviceran 38-vjeçar doli sot para Gjykatës Penale në Lucern për shkak se ka plagosur një kosovar të moshës 21-vjeçare, me një të shtënë nga pushka e tij, në korrik të vitit 2017. Ai rrezikon të dënohet me shtatë vjet burg, transmeton albinfo.ch.

“Ai donte të kishte pak qetësi” dhe për të siguruar këtë, ka qëlluar kosovarin me pushkën e tij.

Ngjarja e përgjakshme ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së 14 korrikut të vitit 2017 në një oborr shkolle në Ebikon, ku po qëndronin adoleshentë dhe të rinj. Ata flisnin, pinin dhe dëgjonin muzikë. Zhurma e tyre ka shqetësuar të pandehurin që banonte aty pranë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte thënë të dashurës së tij në një moment të mëhershëm se do të “qëllonte” për shkak të prishjes së përsëritur të gjumit të natës, shkruan sda.ch. Mbrëmjen e të premtes zvicerani, atëbotë 34-vjeçar e kishte bërë këtë pasi, sipas tij, kishte parë dy veta teksa urinonin në murin e palestrës.

Me armën e tij të rregullt ushtarake, ai i qe drejtuar turmës nga një distancë prej rreth 45 metrash nga ballkoni i tij. Me atë rast ai ka qëlluar një kosovar 21-vjeçar. I plagosur në pjesën e sipërme të trupit, kosovari është dashur të dërgohet në spital. Ai ka dalë nga spitali pas dhjetë ditësh.

Pasi ka dëgjuar një britmë, ai i kadërguar të dashurës së tij një mesazh në WhatsApp (“e kam bërë m…”). Më pas ai ka shkuar në ndërtesën e shkollës me një çantë me fasha. E ka vendosur të plagosurin në një vend stabil dhe është larguar sërish, transmeton albinfo.ch. Ndërkohë në vendngjarje ndodheshin punonjësit e ndihmës mjekësore dhe policia. Arrestimi pasoi pak më pas.

Sipas deklaratave të tij, në kohën kur ka gjuajtur, i akuzuari mund të ketë pasur problem me pijen, siç thuhet në aktakuzë. Në mbrëmjen e krimit, ai kishte pirë pesë kanaçe gjysmë litri birrë në stomak bosh dhe drogë CBD. Pas arrestimit, ai ka pranuar veprën.

Akuzat që i drejtohen atij janë: janë tentim vrasjeje me dashje dhe kanosje e shumëfishtë për jetën. Prokuroria publike e Lucernit thekson se i akuzuari është një “qitës i aftë dhe i trajnuar”. Për këtë arsye ai e dinte se mund të vriste lehtësisht një person me një goditje nga kjo distancë.