Zvicra dhuron 5.5 milionë franga për shëndetësinë në Kosovë
Zvicra shtrin mbështetjen e saj për të siguruar qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore në Kosovë, shkruan albinfo.ch.
Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Zvicra do të përpiqet të përmirësojë cilësinë e kujdesit për pacientët me sëmundje jongjitëse në Spitalet e Përgjithshme të Gjakovës dhe Pejës.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia dhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, kanë nënshkruar marrëveshje për projektin “Shërbime Shëndetësore të Integruara” në vlerë 5.5 milionë CHF.
Ky projekt në fokus ka sëmundjet jongjitëse dhe u del në ndihmë posaçërisht grupeve të cenueshme që përgjithësisht kanë status shëndetësor më të dobët, përballen me situata më të vështira ekonomike, janë në rrezik më të shtuar të përjashtimit social në krahasim me popullsinë e përgjithshme.
Spitalet e Përgjithshme në Gjakovë dhe Pejë janë dy partnerët kryesorë të projektit që angazhohen në aktivitete specifike bashkë me disa nga Qendrat e Mjekësisë Familjare që ushtrojnë aktivitetin në disa nga komunat e këtyre dy rajoneve.


